TIRANË-Në Laprakë janë hapur thashetheme se ka folur në “Facebook” dhe është parë nga dikush, por asnjë nuk thotë “e kam parë unë” 
Zhdukja e Julian Çelës, djalit 10-vjeçar të nëndrejtorit të antiterrorit në SHISH, në rrethana misterioze, është kthyer në një legjendë urbane në zonën e Laprakës. Sot, i mituri mbush 21 ditë që ka humbur gjurmët, ndonëse policia dhe familjarët nuk i kanë ndërprerë kërkimet për asnjë moment. Shumë prej shokëve pretendojnë se miqtë e tyre e kanë parë Julianin në rrugët e kryeqytetit, por pavarësisht kësaj, ai ende nuk është bërë i gjallë dhe vijon të kërkohet nga policia. Ngjarja mbetet një mister për të gjithë, familjen, shoqërinë dhe mbarë opinionin publik. Në numrat e kontakteve që familjarët kanë bërë publik nëpërmjet mediave, kanë mbërritur telefonata nga qytetarë të shumtë, përfshi edhe rrethet. Telefonuesit kanë pretenduar se e kanë parë vogëlushin, por asnjë informacion me vlerë, pasi Juliani vazhdon që të jetë i humbur. Një pjesë e shokëve të Julianit janë të bindur që e kanë parë, por nuk duan që të prononcohen në media, nga frika e policisë. Një prej tyre është Kledisi, shkruan Gazeta “Shqip”. 

Kledisi, personi që dyshohet se e ka parë për herë të fundit, pas zhdukjes nuk pranon të japë deklarime. Megjithatë, në një lidhje telefonike, mamaja e tij thotë se nuk ka dëshirë që djali i saj të prononcohet në media, sepse është i lodhur nga pyetjet e policisë. “Disi e ka parë tek shinat e trenit Julin, rreth orës 20:00, të 30 nëntorit. Madje ai e ka thërritur dhe Kledisi e ka pyetur se çfarë bënte kaq vonë. Juliani i është përgjigjur se po bënte një xhiro dhe në ato momente ka qenë i vetëm. Nuk dëshiron që të flasë se i ka ardhur policia në shtëpi dhe e ka mbajtur atje shumë orë”. Në polici, bashkë me Kledisin ka qenë edhe e ëma. Janë të trembur nga kjo gjë dhe nuk duan të ngatërrohen më me ngjarjen e Julian Çelës. Gjithsesi, i mituri është i bindur që e ka parë në orën 20:00 të datës 30 nëntor, tek shinat e trenit dhe nuk e mohon asnjëherë këtë gjë. 

1 dhjetor 

Ndërkohë, një vajzë e vogël, e cila dëgjon me vëmendje bisedat dhe që e njeh historinë e 10-vjeçarit, thotë se një shoku i klasës së saj, e ka parë Julian Çelën tek dyqani që ka tek shinat e trenit. Ai quhet Françesko. Drejtohemi tek dyqani i ushqimores së Françeskos, personit që thotë se e ka takuar. Edhe ky i fundit largohet nga përgjegjësia, duke thënë se ka qenë e motra në dyqan dhe jo ai personalisht. “Juliani ka ardhur ditën e shtunë tek dyqani im. Ka qenë data 1 dhjetor dhe ai ka qenë i shoqëruar me dy djem, më të mëdhenj se mosha e tij. Ka pasur 200 lekë me vete dhe ka kërkuar një cigare. Motra ia jep dhe i kthen 100 lekëshin. Më pas ai është larguar me shoqëruesit dhe që prej asaj dite nuk është rikthyer më. Juliani nga kjo zonë rrinte gjithmonë dhe zhdukja e tij na ka habitur të gjithëve”, e mbyll dëshminë vogëlushi. 

2 dhjetor 

Disa shokë të Julian Çelës, në zonën e quajtur “Shinat e Trenit”, thonë se “Julin e kishin shumë shok”. Njëri prej tyre, Kevini, është një ndër miqtë e tij dhe i kërkon Julian Çelës që kudo që të ndodhet, të shkojë në shtëpi sepse të gjithë kanë nevojë për atë. “Na ka marrë malli për Julin. Ka qenë shoku im dhe e kam shumë xhan. I kam shkruar edhe në ‘Facebook’, por nuk më ka kthyer përgjigje. Në datën 2 dhjetor është bërë i gjallë, në ‘Facebook’ dhe më ka uruar për fitoren që mora në sportin e karatesë, sepse dola kampion për Ballkanin. Ndërsa unë i ktheva përgjigje më 3 dhjetor dhe kërkova të dija se ku ishte. Nuk më ka kthyer përgjigje. Bisedën që bëmë bashkë ia tregova edhe policisë”, kështu e nis historinë bashkëmoshatari i tij, Kevini. Ata janë njohur së bashku në vendin e quajtur “Fusha e Laprakës” dhe gjithmonë luanin futboll. Juliani do të përshkruhej nga Kevini, si një djalë çapkën dhe sportiv. “Juli rrinte me djem më të mëdhenj se neve. Ishte shumë i shkathët dhe i pëlqente që të rrinte këtej nga zona jonë. Shtëpinë e ka shumë larg nga këtu, por pavarësisht kësaj rrinte deri natën vonë. Julin e shihje jashtë edhe pas orës 10:00-12:00 të natës. Nuk kishte frikë nga asgjë. Kur të vijë Juli këtu, do jetë bërë i famshëm. Besoj se gjendet rrugëve të Tiranës, sepse kështu kam dëgjuar nga shumë njerëz”, vijon të flasë shoku i të zhdukurit. 

4 dhjetor 

Një person që dyshohet se e ka parë, rreth datës 4 dhjetor, është edhe Omari, një tjetër shok i 10-vjeçarit. Ndonëse për shumë herë tentova që ta pyes, ai u shmang dhe tha se nuk ka qenë ai, por shoku i tij Rigersi. “Unë nuk e kam parë pas zhdukjes. Në ditën e festës të Flamurit u takuam. Ai kishte hipur në një shtyllë të lartë, për të marrë një flamur kombëtar. I kërkova që të ma jepte mua, ose të merrte edhe një tjetër, por nuk pranoi. Ishte shumë kokëfortë dhe kur thoshte jo, ishte e kotë që ta diskutoje një gjë të tillë. I pëlqente shumë lartësia dhe nuk linte shtyllë pa u kacavjerrë. Unë personalisht nuk e kam parë, por shoku im Rigersi po. Ai më tha se e ka parë tek pallatet turke disa ditë pas zhdukjes”, shmanget nga përgjegjësia ai, ndonëse të pranishmit i kërkojnë që të më tregojë gjithçka që ka parë atë ditë. 

Gjatë bisedës mblidhen edhe vogëlushë të tjerë. Nisin të flasin për gjurmët e Julian Çelës, por ndërpriten nga disa djem të tjerë, më të mëdhenj në moshë. “Pushoni! Ju nuk keni parë dhe nuk dini asgjë”, thonë djemtë, duke u gjuajtur më të vegjëlve. Në kushtet e frikës, pa e ditur arsyen, shokët e Julit, heshtin. 

Policia

Policia e Tiranës ka nisur hetimet për gjetjen e vogëlushit. Grupi hetimor ka marrë në pyetje të gjithë shoqërinë e të miturit, por asgjë konkrete. Një ndër pistat kryesore të policisë është largimi më dëshira nga banesa e Julian Çelës. Gjithsesi nuk përjashtohet edhe pista e rrëmbimit për shkak të detyrës së babait të 10-vjeçarit. Nga ana tjetër, i ati, Skënder Çela, nëndrejtori i antiterrorit në SHISH nuk ka reshtur për asnjë moment së kërkuari. Pjesëtarët e familjes kanë verifikuar çdo informacion dhe telefonatë që ka mbërritur në numrat e kontaktit të bërë publik. Nëse dikush jep informacione të sakta, familja Çela do të japë edhe një shpërblim monetar. Julian Çela është kthyer në një legjendë urbane dhe zhdukja e tij, në rrethana misterioze ka sfiduar edhe shtetin. I gjithë opinioni publik është tronditur nga ngjarja e rëndë dhe jetojnë me frikën e sigurisë së jetës në shtet.