Vijojnë të dalin në dritë detaje të reja nga vrasja e biznesmenit 66-vjeçari Behar Sofia, një emër i njohur i botës së krimit, pasi ishte i përfshirë në trafikun e heroinës.
Policia ka zbardhur vrasjen e Sofisë, duke arrestuar autorin Ernejt Shyti, 24 vjeç, dhe tre bashkëpunëtorët e tij, Skënder Vathi, Leonar Xhixha dhe Xhuljano Visha. Janë zbardhur rolet e secilit prej të arrestuarve në krimin, që tronditi kryeqytetit.
Xhuljano Visha ka qenë ndërmjetësuesi në krim. Pikërisht ai ka kontaktuar me Shytin, duke i premtuar shumën prej 50 mijë eurosh për vrasjen e Behar Sofisë.
Ndërkohë, dy djemtë nga Fushë Kruja, Skënder Vathi dhe Leonar Xhixha, janë personat që kanë premtuar të jepnin 50 mijë eurot për ekzekutimin e 66-vjeçarit. Organizatori i krimit të rëndë është 54-vjeçari Skënder Vathi.
Ernejt Shyti është shprehur se i ishin premtuar 50 mijë euro për vrasjen e Sofisë, shumë të cilën ai thotë se nuk e ka marrë. Ai është shprehur se shumën prej 50 mijë eurosh do ta merrte në momentin e vrasjes së biznesmenit Sofia. Më tej, siç raporton gazetarja Lala, 23-vjeçari ka dhënë edhe emrat e personave, që e kanë kontaktuar për krimin e rëndë, njëri prej të cilëve është shoqëruar dhe po merret në pyetje.
Organet e drejtësisë vijojnë hetimet për arrestimin e të tjerë personave, të përfshirë në krim, ndërsa ka gjasa që njëri prej të arrestuarve të bëhet i penduar i drejtësisë dhe të rrëfejë gjithë të vërtetën.





