Reshjet e shiut do t’i lenë vendin ditëve të pranverës, prandaj pritet rritje e temperaturave të ajrit. Por gjithsesi këshillohet qe çadrat t’i mbani me vete.

“Ky mars ka nisur me diell, më pas kemi pasur një shkëputje 2-3 ditore në mesin e kësaj jave që ka risjellë ditët e dimrit, por sërish kjo fundjavë duke filluar nga sot e në vazhdim, dita e shtunë e dielë do të na sjellin sërish pranverën, pasi do të kemi rritje të ndjeshme të temperaturave të ajrit. Maksimumi i temperaturave do të arrijë në 17-18 gradë celcius”,– thotë meteologia Adjola Bani.

Për sa i përket kushteve atmosferike sot duhet t’i gëzohemi ditës me diell, pasi dita e shtunë do të na sjellë prezencë të vranësirave  dhe të reshjeve kryesisht në zonat veriore dhe pjesërisht ato qendrore, ndërsa pjesa jugore vazhdon të mbetet me kthjellime dhe vranësira ditën e shtunë. Dita e dielë pas mesditës do të na sjellë sërish vranësira dhe rrebeshe shiu në territorin shqiptar.

Fillimi i javës që vjen do të paraqitet sërish i paqëndrueshëm me reshje shiu kryesisht dhe me reshje dëbore në zonat malore, shoqëruar me ulje të temperaturave gjatë javës që vjen.