INDI- Ravi Shankar ishte i njohur si njeri i butë, orator dhe me stil të perfeksionuar të kombinimit të traditës indiane dhe të muzikës perëndimore. Edhe pse audienca perëndimore ishte shpesh e hutuar nga tingujt e çuditshëm dhe forma e instrumenteve indiane kur Shankar filloi turneun evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet ’50, adhuruesit e muzikës së tij dhe të bendit që e shoqëronte Shankar, filluan të bëheshin të shumtë në numër. Ata, të mërkurën e 12 dhjetorit kanë marrë lajmin për vdekjen e ikonës së muzikës indiane. Shankar ka vdekur në spitalin afër shtëpisë së tij në Kaliforninë Jugore. Shkak i vdekjes ishte sëmundja e zemrën, për të cilën gjë vitin e kaluar i ishte nënshtruar edhe një operacioni. Ani pse nga rrethi i tij njihej si një kompozitor që bënte shumë për ndërkombëtarizimin e muzikës indiane, specifikë e Shankar ishte instrumenti i tij i quajtur “Sitar” me trup të rrumbullakët me një bisht të gjatë dhe me një kokë në fund. Instrumenti ishte i ndarë në meloditë e thjeshta dhe ato të ndërlikuara. Shankar ishte babai i jazz-këngëtares së njohur Norah Jones. Performancat me “Sital” ishin zakonisht të improvizuara, por ato improvizime ishin përdorur shpesh në repertorin e tij që ndahej në “Ragas” (me melodi të ëmbla që lidheshin më shumë me kohën e në formë specifike me stinët e vitit) dhe “Talas” (me melodi të ndërlikuara ritmike) muzikë kjo që daton shumë vjet më parë.
Pretendimet e Shankar për sa më shumë audiencë perëndimore u kurorëzuan me sukses në vitin 1965, kur George Harrison i “Beatles” filloi të studionte instrumentin e tij. Por Harrison nuk ishte muzikanti i parë perëndimor që kërkoi udhëzimet e Shankar për instrumentin. Ai incizoi “West meets East” e në vitin 1967, teksa në dy vjet më vonë do të regjistronte edhe “West meets East Vol.2” dhe “Improvisations: Eeast Meets West”. Shankar njihet si muzikant që ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë përzierjen e kulturave të ndryshme. Ai bashkëpunoi me flautisten Jean-Pierre Rampal dhe saksofonistin e muzikës jazz, John Coltrane. Njihet edhe me bashkëpunimet e ndryshme me muzikantët japonezë Hozan Yamamoto e Susumu Miyashita në albumin “East Greets East” të vitit 1978 ku bëhet bashkë muzika japoneze dhe ajo indiane. Por përpos suksesit të tij me instrumentin e veçantë, Shankar është i njohur më shumë edhe si kompozitor. Por specifikë e tij janë edhe koncertet në vende të ndryshme. Njëri nga ta ishte koncerti në Moskë i vitit 1988. Ai me 140 instrumentistë të ansamblit “Swar Milani” kishte performuar së bashku me Ansamblin e Folklorit në Rusi.
“Gjithmonë kam pasur instinkt që të bëj gjëra të reja”, kishte thënë Shankar në vitin 1985. “Quajeni këtë të mirë apo të keqe, por unë dua të eksperimentoj”.
Ravi Shankar, i pagëzuar si Robindra Shankar Chowdhury ishte lindur me 7 prill 1920 në Vranasi të Indisë, në një familje muzikantësh dhe valltarësh. Vëllai i tij i madh Uday ishte udhëheqës i një grupi valltarësh në Indi. Në moshën 10-vjeçare Shankar do t’i bashkëngjitej këtij grupi dhe brenda pesë vjetësh ishte bërë një nga solistët yje të grupit. Aty ai kishte zbuluar edhe talentin e tij prej instrumentisti.
Shankar më vonë do të “gjendej” si një yll i muzikës indiane, ani pse ai publikisht thoshte se është i interesuar gjithnjë e më shumë për turnetë jashtë Indisë.
Ndihmesa më e madhe në këtë i erdhi nga publiku i Evropës dhe i Amerikës Qendrore. Shankar njihej edhe për qëndrimin e tij kundër përdorimit të lëndëve narkotike.
“E pranoj dhe jam i nderuar që konsiderohem si një avangard i një lëvizjeje ndryshe apo alternative të kohës. Por ajo çfarë më shqetëson mua është se njerëzit përziejnë drogën me muzikën”, kishte thënë Shankar në një intervistë të vitit 1985. “Dhe unë jam i lënduar kur e shoh sesi muzika ime klasike e përzier me tone tradicionale po përdoret si diçka e zakonshme për rininë evropiane”. Shankar kishte thënë se ndihet keq kur i sheh të rinjtë sesi provojnë të bëhen dikush duke përdorur drogë.
“Jam përpjekur gjithmonë që t’i bëj të rinjtë të ulen e të dëgjojnë muzikë. I siguroj ata se në qoftë se dëshirojnë të bëhen të mëdhenj mund ta bëjnë këtë përmes muzikës”, kishte thënë Shankar. Megjithatë, ani pse në Perëndim njihej si “hipi indian”, në vendlindjen e tij Shankar njihej si një shkatërrues i traditës. “Në Indi kam qenë një shkatërrues”, kishte thënë Shankar në një intervistë të vitit 1981. “Por kjo është vetëm për shkak se ata e kanë përzier identitetin tim si një interpretues dhe si kompozitor. Si kompozitor kam provuar gjithçka, madje edhe muzikë elektronike. Por si një interpretues jam me ortodoks dhe klasik madje me xhelozi mbroj trashëgiminë që kam nga vendi im”. Shankar në vitin 1960 do të krijonte një shkollë të muzikës indiane në Amerikë. Deri në vitet ’70-’80, Shankar ishte profesor kryesor në këtë shkollë. Ai kishte botuar dy autobiografi “My Life, My music” (1969) dhe “Raga Mala” (1997). Në vitin 2010 ai themeloi fondacionin me emrin e tij për të nxitur bashkëpunimin kulturor ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Kur e kishte hapur këtë fondacion Shankar, që njihej si njeri që jepte intervista të pakta, kishte thënë se ky fondacion përcjell një frymë të re të lidhjes mes njerëzve. “Ajo çfarë duhet të bëjmë ne është t’ua përcjellim të rinjve pasurinë e diversitetin e kulturës sonë”, kishte thënë Shankar.