Tirana do të mirëpresë më 12 qershor koncertin “Fio Zanotti & Super Band featuring FEZZ”, një nga ngjarjet më të veçanta kulturore të vitit.

Koncerti do të zhvillohet në mjediset e Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse me disa nga figurat më të rëndësishme të muzikës italiane bashkëkohore. I ftuari kryesor i koncertit do të jetë maestro Fio Zanotti, dirigjent, kompozitor dhe producent i cili ka bashkëpunuar me emra ikonë të muzikës italiane dhe botërore si Celentano, Zucchero, Anna Oxa, Baglioni, Fiorella Mannoia, Eros Ramazzotti, Andrea Bocelli, apo Plácido Domingo.

E veçanta e këtij projekti është bashkëpunimi me artisten FEZZ, e lindur dhe e rritur në Verona të Italisë nga prindër shqiptarë që emigruan në fund të viteve ’90.

Koncerti do të prezantohet nga Ardit Gjebrea, një prej figurave më të dashura dhe më të vlerësuara të skenës artistike dhe mediatike shqiptare. Koncerti do të zhvillohet nën kujdesin e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.