Është ndarë nga jeta në moshën 70-vjeçare këngëtarja e njohur amerikane e xhazit dhe fituesja e dy çmimeve Grammy, Cassandra Wilson.
Artistja amerikane ndërroi jetë të mërkurën, më 2 shtator, në shtëpinë e saj në Jackson, Mississippi, e rrethuar nga familjarët dhe miqtë e saj të ngushtë. Lajmin e bëri të ditur përfaqësuesi i artistes, Robert Torre.
“Cassandra Wilson u nda nga jeta paqësisht, në shtëpinë e saj, e rrethuar nga familja, miqtë e ngushtë dhe menaxheri i saj”.
Ai e cilësoi Wilson si një “artiste legjendare të xhazit”.

Shkaqet e vdekjes nuk janë bërë të ditura. Robert Torre kërkoi që privatësia e familjes të respektohet në këtë periudhë.
Cassandra Wilson la pas një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në muzikë, duke u shquar si kompozitore, këngëtare dhe producente. Ajo ishte veçanërisht e njohur për zërin e saj të thellë dhe ekspresiv prej kontraltos, i cili u bë një nga tiparet dalluese të stilit të saj muzikor.
Gjatë karrierës së saj rreth 30-vjeçare, Wilson bashkëpunoi me emra të rëndësishëm të skenës së xhazit, mes tyre Steve Coleman dhe Wynton Marsalis.
Në vitin 1997, ajo fitoi çmimin Grammy për interpretimin më të mirë vokal në xhaz, për albumin “New Moon Daughter”. Dymbëdhjetë vjet më vonë, në vitin 2009, ajo u nderua sërish me një Grammy, këtë herë në kategorinë e albumit më të mirë vokal në xhaz, për “Loverly”.





