Një pilivesë kurioze, me sytë e saj të mëdhenj që duken përmes vrimave të një gjetheje, është protagoniste e fotografisë fituese të konkursit të përvitshëm të fotografisë, të promovuar nga revistat shkencore BMC Zoology dhe BMC Ecology and Evolution.

Konkursi synon të vlerësojë imazhet që pasqyrojnë bukurinë dhe diversitetin e jetës në Tokë, duke sjellë në vëmendje njëkohësisht punën e studiuesve që kontribuojnë në kuptimin dhe mbrojtjen e botës natyrore.

Fotografia fituese, e titulluar “Dritare mbi Ligatinat”, është realizuar në Indi nga Sritam Kumar Sethy, student në Universitetin Berhampur. Përmes imazhit të pilivesës, fotografi synon të ofrojë një vështrim në botën shpesh të anashkaluar të biodiversitetit të ujërave të ëmbla.
Pilivesat janë grabitqarë të rëndësishëm në ekosistemet e ligatinave dhe konsiderohen gjerësisht si tregues të shëndetit të ekosistemeve.