TIRANE– Shpërndahen 38 titujt e parë ekzekutiv për ish pronarët në Tiranë. Pas Durrësit, ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi ka vijuar në kryeqytet shpërndarjen e titujve ekzekutivë për ish pronarët, pronat e të cilëve janë të zëna nga qiramarrësit.
Gjatë ceremonisë në Entin Kombëtar të Banesave, Olldashi u shpreh se qeveria është e vendosur të kthejë pronën tek i zoti. Nga ana tjetër ai u bëri apel familjeve që ende qëndrojnë në shtëpitë e ish pronarëve t’i lirojnë ato.
"Këto janë titujt me të cilët pronarët do t'u drejtohen zyrave të Përmbarimit për të kryer tashmë lirimin e pronës së tyre të ligjshme, të pronës që prej 70 vjetësh pengohen ta gëzojnë", u shpreh ai.
Ministri theksoi se procesi ka vijuar mjaft mirë, pasi ka pasur fluks të madh kërkesash. Paralel me shpërndarjen e titujve ekzekutiv ministria po monitoron edhe ecurinë e procesit në gjykata.
“Ne po ndjekim me shumë kujdes ecurinë e procesit edhe në Gjykatë. Veçanërisht në Gjykatën e Tiranës që është edhe Gjykata më e madhe për të mbajtur, të themi nën vëzhgim ritmet me të cilat dalin këto tituj ekzekutivë. Pasi ne do të donim që procesi të ecte po kaq shpejt edhe në javët apo muajt e ardhshëm në mënyrë që përfundimisht të përmbyllet",- deklaroi ministri.
Në muajin nëntor, Kuvendi miratoi Aktin Normativ, që mundëson kthimin e shtëpive të zëna nga qiramarrësit tek pronarët e ligjshëm të tyre.





