Sëmundjet e lëkurës janë të shumta, por vetëm disa prej tyre detyrojnë pacientët që të paraqiten tek mjeku për të kryer një kontroll të specializuar dhe për të marrë kurën përkatëse. Nënvlerësimi shpeshherë i sëmundjeve apo infeksioneve që shfaqen në lëkurë ose mjekimi i tyre në  mënyrë të gabuar bën që shpesh ato të kthehen në patologji kronike. Në rastet kur nuk trajtohen ato mund të evoluojnë deri në gjeneralizim të tyre. Konsultat me mjekun dermatolog e bëjnë më të thjeshtë diagnostikimin dhe mjekimin e duhur të pacientit. Ndërsa vite më parë pacientët i drejtoheshin mjekut dermatolog për të kuruar sëmundje apo infeksione të ndryshme në lëkurë tashmë një rëndësi e veçantë i kushtohet estetikës së fytyrës apo trupit. Dëshira për të pasur përherë një lëkurë të re, të freskët, pa rrudha është kthyer në një mani për shumë gra. Ato janë gjithnjë në kërkim të produkteve të ndryshme kozmetike apo të proçedurave mjekësore që do t’u mundësonin një fytyrë pa rrudha. Një ndër këto është pilingu kimik.

Pilingu kimik

Kjo lloj proçedure bazohet mbi përdorimin e një solucioni kimik për të përmirësuar lëmueshmërinë dhe ngjyrën jo të njëtrajtshme të lëkurës së fytyrës si pasojë e proçeseve të ndryshme patologjike, efektit moshë ose ndikimit të diellit. Është një proçedurë shumë e përdorur tek personat që kanë njolla në fytyrë, rrudha dhe fytyrë pa shkëlqim dhe elasticitet. Acidet alfahidroksi dhe trikloroacetiku janë më të përdorshme për këtë qëllim. Formulimi i saktë i përqindjeve të këtyre acideve në përmbajtjen e përdorur për aplikim është në varësi të tolerueshmërisë individuale dhe problemit që trajtohet. Proçedura e pilingut kimik kryesisht përdoret për arsye kozmetike, por gjen përdorim të madh dhe në trajtimin e disa patologjive, si heqjen e lezioneve parakanceroze në lëkurë, trajtimin e akneve dhe eliminimin e shenjave që ato lënë në fytyrë. Acidet alfahidroksi, si p.sh. acidi glikolik, laktik ose acidet e frutave janë forma më e lehtë e formulimeve të piling dhe kanë efekte sipërfaqësore. Kjo proçedurë është e sigurt në qoftë se kryhet nga një mjek specialist dhe në kushtet e përshtatshme. Është një proçedurë e sigurt, megjithatë nuk mund të evitohen edhe pse shumë rrallë disa efekte anësore, si infeksioni apo shenjat në lëkurë. Pilingu mund të shkaktojë fillimisht ndjesitë e djegies, skuqjes dhe acarimit që kalon pas disa ditësh duke dhëne rigjenerimin e plotë të lëkurës dhe një pamje të korrigjuar nga defektet.

Aplikimi i proçedurës

Fillimisht është e rëndësishme që të kontaktoni me një mjek, i cili është i trajnuar në këtë fushë dhe të pyesni me hollësi për proçedurat dhe mundësitë që ju ofrohen. Gjate konsultës duhet të diskutoni përparësitë dhe efektet negative duke pyetur për të gjitha detajet që ju interesojnë. Personat që vuajnë nga Herpes kronik duhet ta informojnë mjekun para kryerjes së proçedurës. Pilingu kimik realizohet në zyrën e mjekut në prani të të gjitha mjeteve të nevojshme dhe në kushte higjenike të larta. Nuk është i nevojshëm aplikimi i anestezisë. Fillimisht mjeku do t’ju aplikojë një solucion në lëkurë për të siguruar pastrimin e thellë të saj, më pas aplikohet solucioni specifik në të gjithë zonën që do trajtohet dhe pas një kohe, jo më shumë së 10 minuta, bëhet aplikimi i një neutralizuesi për heqjen e tij. Në bazë të thellësisë së pilingut të kryer dhe reagimit të lëkurës së pacientit mund të aplikohen lokalisht kremra rigjenerues ose me bazë acidin hialuronik për të përshpejtuar proçesin e rigjenerimit. Aplikimi i proçedurave mund të kryhet në distancë 1 javore ose një herë në muaj, derisa të arrihet efekti i duhur.

Pamja e re

Përmirësimi i lëkurës pas aplikimit të proçedurës së pilingut kimik mund të jetë shumë i dukshëm që në fillim. Shihet qartë një lëkurë më e shëndetshme dhe me shkëlqim. Me vazhdimin e trajtimeve shikohet në vazhdimësi një përmirësim i përbërjes së lëkurës. Këto trajtime japin efekte që zgjasin për një kohë të gjatë, por nuk janë imune ndaj efektit të rrezatimit diellor dhe moshës. Rekomandohet përdorimi i kremrave mbrojtës me spf të lartë për mbrojtje nga rrezatimi diellor. Acidi Trikloroacetik mund të përdoret në shumë përqendrime, por kryesisht përdoret për piling të mesëm në të thellë.


 

Rastet kur përdoret pilingu kimik

• Lëkurë e thatë dhe e ashpër;
• Rrudhëza të imëta;
• Përmirëson pamjen e një lëkure të dëmtuar nga dielli;
• Ndihmon në trajtimin e akneve;
• Ndihmon në korrigjimin e problemeve të pigmentit;
• Përdoret si paratrajtim në piling me TCH.


 

Çfarë duhet të keni parasysh

• Mund të përdoret në fytyrë, qafë dhe pjesë të tjera të trupit;
• Mund të kërkojë paratrajtim me Retin-A ose kremra me AHA;
• Trajtimi zgjat 10-15 minuta;
• Preferohet për pacientë me lëkurë të errët; 
• Thellësia e piling mund të rregullohet në varësi të përqendrimit;
• Mund të jenë të nevojshme trajtime të përsëritura për rezultate maksimale;
• Rekomandohet përdorimi i kremrave mbrojtës me spf të lartë për mbrojtje nga rrezatimi diellor për disa muaj pas proçedurës.


 

Trajtimet rinovuese (anti-age) me injeksion

Proçedurat kozmetike kirurgjikale mund të japin ndryshime të thella në pamjen e fytyrës që zgjasin për një kohë të gjatë, por duke qenë invazive janë të shoqëruara me efekte dytësore dhe kanë nevojë për një kujdes të caktuar të aplikimit të proçedurës. Shumë pacientë që sapo kanë filluar të shfaqin shenjat e para të moshës në fytyrë kërkojnë të përmirësojnë pamjen, por nuk mund të përballojnë koston dhe trajtimet kirurgjikale. Për këta pacientë trajtimi me injeksione është gjithmonë e më shumë në përputhje me kërkesat e tyre. Injeksionet mund të kryhen gjatë një vizite të thjeshtë në zyrën e mjekut dhe nuk kërkojnë përgatitje për sallën e kirurgjisë. Me disa trajtime paraprake nuk është e nevojshme anestezia, sepse dhe aget që përdoren janë shumë të vogla për të shkaktuar ndjesi parehatie. Në disa proçedura të caktuara me kërkesën e pacientit mund të përdoren doza të vogla që ndryshojnë dhe nga ndjeshmëria e pjesës së fytyrës së trajtuar. Ekzistojnë dy lloje të ndryshme injeksionesh që kryhen, në varësi të lëndës që injektohet: Toksinat neuromuskulare ose siç njihet ndryshe Botox-i dhe materialet mbushëse të indeve të buta ose Fillerat.

Botox

Opsioni i parë dhe më i përshtatshëm për linjat aktive të fytyrës ose rrudhat e moshës është dobësimi i përkohshëm, ose paralizimi i muskulit që shkakton këtë rrudhosje. Botulinum Toxin tipi A është një familje neurotoksinash që bllokojnë sinjalet nervore të cilat shkaktojnë kontraktimin muskulor. Toksina vepron vetëm mbi vendin ku injektohet duke qenë kështu tepër e përdorshme për të shndërruar shprehjen e fytyrës. Në treg ka forma të ndryshme farmaceutike të kësaj toksine që ndryshojnë nga koha e instalimit të efektit, kohëzgjatja e tij, aftësia për t’u përhapur në indin përreth etj. Përdorimi i saj është jo vetëm kozmetik, por mund të jetë dhe terapeutik, sidomos në rastet e sasisë së shtuar të djersës në duar, shputat e këmbeve dhe regjionin aksilar. Rreziqet përfshijnë nxirjen në vendin e injeksionit për disa ditë, mundësi të pakta për infeksion apo për të ndikuar në mënyrë të paqëllimshme mbi muskuj të tjerë të afërt.

Fillerat

Ky grup është tepër i larmishëm në përmbajtje dhe ofron një numër të madh opsionesh trajtimi. Përdoren më tepër për trajtimin e rrudhave të instaluara, për rrudhat e thella përreth gojës (regjioni nazolabial) ose mbushjen e defekteve në fytyrë. Fillerat i japin fytyrës volum dhe strukturë më të përcaktuar. Në varësi të tipit të fillerave dhe thellësisë në të cilën injektohen, mund të lëmohen rrudhat e sipërfaqshme në lëkurë, mund të mbushen linjat e thella, të shtohen indet e buta, si p.sh. buzët ose mund të ndërhyhet dhe në strukturat kockore të fytyrës. Të gjitha këto substanca vendosen nëpërmjet injeksioneve prandaj dhe rreziqet janë ato të zakonshmet, si nxirja e vendit të injeksionit për pak ditë, reaksionet lokale alergjike dhe në raste të rralla infeksionet lokale. Opsionet që ofrohen në këtë kategori diferencohen në bazë të kohëzgjatjes së efektit dhe të ndjesisë në prekje që kanë këta fillera. Në përgjithësi fillerat e butë që janë specifikë për pjesën e buzës, p.sh. kanë një efekt që zgjat për një kohë të shkurtër, ndërkohë që fillerat që zgjasin më shumë kanë strukturë më të fortë dhe lokalizohen më mirë në pjesët që nuk palpohen, si p.sh. thellimet përreth gojës. Fillerat me bazë kolagjeni kanë një kohëzgjatje prej 3 deri 6 muajsh dhe për disa indikacione kanë një pamje shumë natyrale. 

Një grup tjetër fillerash përdor si bazë acidin hiyaluronik (HA), një lloj sheqeri që ndodhet normalisht në lëkurën e njeriut. Acidi Hyaluronik përthithet nga organizmi dhe jetëgjatësia e tij është në varësi të shumë faktorëve, si individualiteti i pacientit, lokalizimi i injeksionit dhe forma farmaceutike e tij. Kjo ndryshon nga 3-4muaj në buzë deri në një vit në zonën përreth gojës.
Formulimet e fundit të aprovuara nga FDA janë një klasë e re e fillerave e bazuar në teknologjinë e mikrosferave, që janë prej një materiali solid, të shpërndara në një bazë xheli dhe relativisht uniforme në madhësi. Pas injektimit të tyre ndodh faza e shpërbërjes së tyre dhe induktimi i rritjes natyrale të kolagjenit duke dhënë në kohë një efekt më të zgjatur që arrin dhe më shumë se një vit.