Vitin e kaluar moskonstituimi i këshillit kulturor shkaktoi jo pak probleme për mbarëvajtjen e aktiviteteve kulturore. Pavarësisht faktit se bashkia mbështeti financiarisht ato aktivitete që tashmë janë kthyer në traditë në qytetin bregdetar, disa të tjera u harruan, pasi mos funksionimi i këshillit ishte një “justifikim” i mirë për organizatorët e këtyre aktiviteteve që mbeten “jetime”. Këtë vit fondi i akorduar për mbështetjen financiare të aktiviteteve artistiko-kulturore është 15 milion lekë të reja, shumë më pak se një vit më parë. I pyetur nëse ky fond i mangët do të ndikojë në cilësinë e veprimtarive të programuara në kalendarin artistik të këtij viti drejtori i kulturës në bashki, Adrian Gurra, tha se kjo gjë nuk do të ndodhë, sepse kërkesat e hartuesve të projekteve shkojnë pak a shumë në sinkron me fondin që ka rezervuar pushteti lokal për sektorin e kulturës. Pra me pak fjalë bashkia ka akorduar aq lekë për kulturën sa mendonte se do ishte pritshmëria nga projektet e përvitshme.
Dihet që ky është një vit krize, sepse vështirësitë ekonomike po manifestohen në të gjitha fushat, qoftë në sektorin privat, qoftë në atë shtetëror. Ashtu siç është praktikë jo vetëm shqiptare, por edhe botërore sektorët ku fondet shkurtohen më thjeshtë dhe më shumë janë ato që kanë të bëjnë me kulturën. Nuk duam të fajësojmë bashkinë në këtë rast për investimin e mangët në aktivitete kulturore, sepse titullarët e pushtetit lokal e kanë theksuar disa herë se nuk kanë para, se buxheti është i limituar, se janë tkurrur investimet, me pak fjalë kur nuk ka lekë për investime publike nuk mund të ketë për “aheng”. Nga ana tjetër ajo që të bën përshtypje kur sheh listën e projekteve që kërkojnë financimin e bashkisë konstaton se nuk ka asnjë risi përsa i përket larmishmërisë së tyre, të gjithë janë kthyer në traditë. Pra nuk ka asnjë projekt që mund të angazhojë artistët e rinj durrsakë, asnjë projekt që të gjallërojë jetën e varfër artistike të qytetit të dytë për nga rëndësia në vendin tonë, asnjë projekt që të sjellë një risi, ndryshe nga aktivitetet që bëhen zakonisht për të nderuar 2-3 figura që vlerësohen me një titull simbolik për kontributin që kanë dhënë për qytetin.
Vërtet në listë janë tre projekte serioze që kanë krijuar traditë në qytet dhe për më tepër sjellin në qytetin 2500 vjeçar artistë me emër nga vende të ndryshme të botës, personalitete në fushën e kinematografisë, kërcimit apo muzikës klasike, por kjo është shumë pak për të mbajtur gjallë jetën artistiko-kulturore të një qyteti. Për më tepër këto tre projekte, që marrin një pjesë të konsiderueshme të fondit të akorduar për kulturën, shohin pak apo aspak të angazhuar artistët durrsakë. Vërtet festivali ndërkombëtar i filmit përqendron vëmendjen e kritikës ndërkombëtare në qytetin e Durrësit, i cili për 4-5 ditë kthehet në epiqendër të shpalosjes së vlerave të kinematografisë europiane e më gjerë, por pasi ikin figurat hollivudiane si Francis Ford Coppola, qyteti mbetet prapë pa kinema, mbetet me një bibliotekë që po rrënohet dita ditës dhe vetëm me aktivitete artistike sporadike. Të thërrasësh një kolos të kinemasë botërore në një festival që organizohet në një qytet që nuk ka kinema për mua është absurde. Absurd është nga ana tjetër edhe akordimi i një sasie të madhe lekësh për të sjellë Coppola-n në Durrës, në një kohë kur nuk financohen aktivitetet e tjera kulturore me preteksin se nuk funksionon këshilli kulturor.
Sjellja e personaliteteve botërore të kulturës në një kohë kur nuk krijohen hapësirat e duhura apo dhe mundësitë financiare për të mbështetur, përkrahur dhe promovuar artistët vendas nuk duket se ka shumë sens. Po mirë do thotë dikush, në teatrin e qytetit po shfaqen filma italianë të viteve të fundit, e për më tepër pa pagesë, por salla e teatrit është bosh. Pse ankohemi atëherë dhe pse themi se duam kinema. Vërtet zgjidhja për të shfaqur filma italianë, të mundësuar falë Instituti Italian të Kulturës, mund të shihet si një mundësi e mirë për të zëvendësuar ekranin e madh të kinemasë, që mungon në qytet prej të paktën një dekade, por ama nuk duhet të harrojmë se kjo “zgjidhje nga halli” nuk zëvendëson kinemanë e vërtetë. Rinia, që përbën pjesën dërrmuese të të apasionuarve të kinemasë, kërkon të shohë realizimet më të fundit dhe në ditët dhe oraret që ajo zgjedh vetë ta ndjekë një film, e jo ta ndjekë në filan ditë dhe filan orë që është caktuar nga dikush. Për këtë arsye, për të edukuar sa më mirë brezin e ri dhe për ta afruar atë sa më pranë artit dhe kulturës pushteti lokal duhet të tregohet shumë më i kujdesshëm me aktivitetet kulturore, me përzgjedhjen e tyre dhe vlerat që ato transmetojnë. Mungesa e projekteve të reja për këtë vit nuk besoj se është paaftësi e artistëve durrsakë apo artdashësve për të ideuar dhe vënë në jetë një projekt artistik, por më tepër një tërheqje taktike për të mos rrezikuar ta paguajnë vetë të gjithë koston e veprimtarisë artistike.
Durrësi në stinën e verës vizitohet nga qindra mijëra pushues. Është vërtet fatkeqësi që për ta nuk organizohet asnjë aktivitet kulturor që do ta gjallëronte sadopak qëndrimin e tyre në qytet. Në zonën e plazhit dhe atë të Shkëmbit të Kavajës, ku përqendrohet numri më i madh i pushuesve, jehon çdo natë tallavaja. Nëse nuk të pëlqen “zhurma” e lokaleve me muzikë live zgjedhja e vetme që të mbetet është një shëtitje buzë detit, por dhe atje nuk mund të shpëtosh nga zhurma shurdhuese e amplifikatorëve të këtyre të ashtuquajturave lokale. Përveç “Maratonës së muzikës popullore” dhe “Summer fest”, aktivitete të mbështetura nga dy televisione kombëtare e që zgjasin vetëm nga një ditë, asnjë aktivitet tjetër kulturor nuk vlen të përmendet gjatë stinës së nxehtë. Nëse në Durrës mungojnë potencialet artistike atëherë vërtet nuk kemi pse pretendojmë për aktivitete kulturore, por nëse ka artistë që vlejnë të përkrahen, nëse ka projekte që duhen ideuar dhe vënë në jetë për të nxjerrë në pah potencialin krijues të artistëve durrsakë, që mendoj se nuk mungojnë, duhet që pushteti lokal të ndryshojë politikat e ndjekura deri tani përsa i përket sektorit të kulturës dhe t’i japë një frymëmarrje të re artit në Durrës. Uroj që funksionimi i këshillit kulturor të jetë një ogur i mirë në këtë drejtim.