Është zbardhur dhe dokumentuar në kohë rekord ngjarja e ndodhur mesditën e djeshme në Maminas ku është arrestuar në flagrancë 27-vjeçari që dyshohet se qëlloi me armë zjarri në drejtim të një mjeti dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Mesditën e djeshme në Maminas, Shijak, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi Adrian Domi, 27 vjeç ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit tip “Benz” me drejtues shtetasin Afrim Dobrushi, 38 vjeç. Policia ka raportuar se nga të shtënat nuk ka patur asnjë person të lënduar. 

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën dule bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e shtetasit Adrian Domo në ambientet e Policisë.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Adrian Domi, 27 vjeç banues në Maminas, Durrës, si dhe u bë shpallja në kërkim policor e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit Besnik Domi, 28 vjeç (kushërinj me njëri-tjetrin), për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vrasja e mbetur në tentativë” kryer në bashkëpunim.

Shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës për gjetjen dhe administrimin si provë materiale të armës së zjarrit me të cilën dyshohet se ky shtetas ka qëlluar në drejtim të mjetit. 

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.