TIRANE, 27 maj 2013- O ti do jesh e imja, o unë ty dhe familjarët e tu do t'i vras… Do të vij lart në shtëpi, jeni të dy në rrezik, jeni në buzë të varrit… ". Rikens K. i zinte pritë në hyrjen e pallatit dhe kërcënonte me jetën e saj dhe të familjes një vajzë të re, të cilën e kishte pasur mike, duke i kërkuar me çdo kusht të kishte me të një lidhje intime. D.L nuk ka heshtur, por i është drejtuar për ndihmë policisë dhe përndjekësi i saj është ndaluar. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës e ka dënuar të riun me 8 muaj burg me kusht. Ai tashmë duhet të qëndrojë nën vëzhgimin e institucionit të Shërbimit të Provës. Nëse ndodh t'i afrohet sërish vajzës, apo të kryejë ndonjë vepër tjetër penale, përfundon menjëherë prapa hekurave.
Historia
Më 14 nëntor 2012, D.L. ka trokitur në dyert e komisariatit nr.2 në Tiranë, duke denoncuar faktin se përndiqej dhe kërcënohej në mënyrë të vazhdueshme nga Rikens K. Vajza u kishte thënë hetuesve se ndihej e kanosur për jetën. Mes të tjerash, ajo ka zbardhur dhe një debat të fortë mes vëllait të saj dhe Rikensit, në hyrjen e pallatit ku banojnë. Rikensi i kishte kërcënuar atë dhe vëllain se do t'i vriste si familje dhe do të rikthehej përsëri. E gjendur në të tilla rrethana, D.L u tha oficerëve se ka frikë të dalë nga shtëpia. Vëllai i së kërcënuarës shprehet se motra e tij është e detyruar të dalë e shoqëruar nga shtëpia, pasi ndihet e kërcënuar nga Rikensi. I akuzuari ka pranuar se e ka ndaluar të dëmtuarën në hyrjen e pallatit të saj, por nuk ka pasur si qëllim ta kërcënojë apo ta trembë.
Përndjekja
Në dëshminë e saj D.L. është shprehur se është ndjekur nga personi në fjalë. Ndjekja ka filluar që nga vendi i quajtur kryqëzimi i rrugës së Dibrës me rrugën e Barrikadave, deri në bibliotekën e ndodhur në rrugën "Mine Peza" pranë Kafe "Flora". Gjithashtu ajo ka shpjeguar se kur është futur në bibliotekën që ndodhet aty, personi i ndaluar e ka pritur jashtë në trotuar për rreth 30 minuta. E frikësuar ajo ka telefonuar të fejuarin e saj duke i treguar për ngjarjen. I fejuari i vajzës ka shpjeguar para hetuesve se e ka telefonuar e fejuara e tij, D.L. duke i thënë se nga pas e ka ndjekur Rikens K. Ai i ka thënë të fejuarës që të futej tek biblioteka e ndodhur në rrugën "Mine Peza" dhe të priste aty. Rreth orës 12:22 ka njoftuar policinë në numrin 129 duke i kërkuar ndihmë. Pasi ka ardhur policia, Rikensi ka qënë 10 metra larg derës së bibliotekës. Një punonjës i patrullës së përgjithshme pranë komisariatit të policisë nr.3 Tiranë, i pyetur lidhur me rastin në fjalë, ka shpjeguar se gjatë patrullimit është njoftuar nga salla operative se në vendin e quajtur Pastiçeri "Flora" një oficer i policisë gjyqësore i quajtur X.X kërkonte ndihmë. Kur ka vajtur aty, ka pasur kontakt me telefonuesin, i cili i ka shpjeguar se aty pranë ndodhej një djalë i ri, i cili është në hetim nga prokuroria për shqetësime ndaj bashkëshortes së tij. Është takuar ky person, i cili nuk ka pasur dokument identifikimi dhe është prezantuar si Rikens K. Ky i fundit është shoqëruar në komisariat. I pandehuri nuk e ka pranuar akuzën. Avokati i tij ka theksuar se "i pandehuri dhe kallëzuesja kanë pasur lidhje të ngushta miqësie, me mendim në përfundim marrëdhënie serioze dashurie".
Dënimi i përndjekësit
Gjykata e Tiranës pasi e shqyrtoi dosjen penale ndaj të pandehurit Rikens K., vendosi ta dënojë atë me tetë muaj burg me kusht për veprën penale të përndjekjes. Përgjatë një periudhe prej 18 muajsh, i pandehuri vihet në provë, kohë gjatë së cilës nuk duhet të kryejë vepër tjetër penale. Gjithashtu, gjykata e urdhëron të pandehurin të mbajë kontakte me institucionin e Shërbimit të Provës, të mos shoqërohet me persona të dënuar, si dhe të marrë pëlqimin nga Shërbimi i Provës për ndryshimin e vendbanimit, qendrës së punës apo për lëvizjet e shpeshta brenda vendit.
/BW/





