Vetëm pak ditë pas fitores minimale 1-0 ndaj Vllaznisë, Teuta humb një mundësi të mirë për t’u ngjitur e vetme në kreun e renditjes, pasi nuk shkoi përtej një barazimi 1-1 në transfertën ndaj Bylisit.Sfida nisi më mirë për Teutën, që zbriti disa herë me bregun në krah, por krosimet e vlonjatit në zonë u larguan nga mbrojtja ballshiote, që nuk u dha mundësi sulmuesve durrsakë të kërcënojnë kuadratin e mbrojtur nga Pano Qirko.Nuk mungoi as tensioni në fushë mes Ndrecës e Emiliano Vilës, ndërsa më pas u përfshi edhe mbrojtësi Janku, por ndërhyrja e arbitrit dhe futbollistëve të të dy skuadrave, bëri që gjithçka të shuhej shpejt dhe të vijonte normalisht loja.

Në minutën e 28’ erdhi edhe zhbllokimi i ndeshjes, me Teutën që shënoi golin e avantazhit me Bregun. Pas ekzekutimit të një këndoreje, arbitri akordoi penallti për durrsakët për një kontakt të lehtë mes Nebiut dhe Arapit në zonë, ndërsa sulmuesi vlonjat Bregu u tregua gjakftohtë nga pika e 11-metërshit dhe dërgoi topin në rrjetë.Ballshiotët reaguan mirë dhe në një kundërsulm të shpejtë, Mehmetllari gjeti saktë Anthony Beji në zonë, aty ku ky i fundit gjuajti saktë dhe mposhti portierin Stivi Frashëri, duke rikthyer baraspeshën.

Protestojnë ndërkohë lojtarët e Teutës, pasi në rastin e aksionit të golit të vendasve, mesfushori Aleksi mbeti i shtrirë për një përplasje me arbitrin Bastari, megjithatë goli vlen dhe skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes me rezultatin e barabartë 1-1. Pjesa e dytë nisi me një ritëm të ulët, teksa në minutën e 58’ Teuta i shkoi shumë pranë golit të avantazhit, por Plaku shpërdoroi në zonë. Një krosim i ardhur nga një goditje dënimi, përfundoi në këmbët e sulmuesit veteran, që u koordinua keq dhe dërgoi topin jashtë.

Minuta të mira për Teutën, që fiton një goditje dënimi mbi vijën e zonës me Dejvi Bregun dhe goditjen e mori përsipër vetë vlonjati, që ka shënuar shpesh nga këto pozicione, por këtë herë dërgoi sferën mbi kuadrat.Durrsakët vijojnë të shtojnë presionin dhe i shkojnë sërish pranë golit të barazimit. Pas një krosimi nga këndi, topi nuk u grushtua mirë nga portieri Qirko dhe u gjuajt në portë nga durrsakët, por kur ishte mbi vijën fatale, u largua nga mbrojtësi Andi Hadroj, që shmangu kështu golin e miqve.

Një tjetër mundësi e mirë për durrsakët, këtë herë në minutat shtesë, kur sulmuesi Silvio Zogaj u lirua mirë në zonë dhe gjuajti menjëherë, por topi u përplas në shtyllë. Shansin e fundit Teuta e pati në minutën e fundit shtesë me një goditje dënimi nga krahu, por mbrojtja vendase largoi dhe më pas ishte arbitri që vërshëlleu fundin e takimit.Përfundoi kështu gjithçka në barazim 1-1, një rezultat që i shkon mjaft përshtat Bylisit, që vijon t’i largohet fundit dhe të konsolidojë pozitat në zonën Play Out, ndërsa Teuta humb mundësinë për t’u ngjitur e vetme në krye të renditjes, pozicion që të paktën përkohësisht e ndan me Vllazninë.