Gjatë bashkëbisedimit online me të rinjtë votues për herë të parë, kryebashkiakja e komanduar e Durrësit, Emiriana Sako tha se ka filluar procesi i rindërtimit për 4 pallatet e para të klasifikuara DS4, dy në zonën e plazhit dhe dy në qytet.

Sako u shpreh se me marrjen e projekteve do të fillojë puna në objektet e tjera për të pasur mundësinë që t’i kthejnë normalitetin familjeve brenda muajit korrik-gusht të këtij viti.

“Objektet DS4 kanë pësuar dëme të mëdha në strukturë dhe tipologjia e problematikave ka qenë e ndryshme. Ne kemi rreth 120 objekte, pallate shumëkatëshe të cilat kanë patur këtë problematikë, mbas etapave të realizimit të ekspertizave nga ana e Institutit, kemi kërkuar një fond në qeverinë shqiptare për realizimin e projektit të detajuar duke kryer edhe analizat përkatëse, provat e betonit, qëndrueshmërinë e objektit, piketimin, aspektin gjeologjik të tyre dhe aktualisht janë hartuar rreth 15 objekte të cilat janë duke u konsideruar nga Instituti i Ndërtimit, duke u bërë oponencat teknike të këtyre projekteve në mënyrë që të fillojmë me financimin dhe rehabilitimin e tyre. Aktualisht ky proces pune ka filluar për katër objektet e para, janë dy në zonën e plazhit dhe dy në qytetin e Durrësit dhe me marrjen e këtyre projekteve ne do të fillojmë punën me objektet e tjera për të pasur mundësinë që t’i kthejmë normalitetin këtyre familjeve brenda muajit korrik-gusht të këtij viti”, tha ajo ndërsa falenderoi të riun për këtë pyetje, pasi sipas saj është shumë e rëndësishme për procesin e rindërtimit që të dihet kjo fazë e këtij procesi se ku ndodhet.

Sa i përket rehabilitimit të ambienteve të përbashkëta, Sako tha se “kemi marrë mbështetjen për të bërë riparimin e rreth 600 pallateve të cilat shtrihen në të gjithë Durrësin. Puna konsiston në rehabilitimin e ambienteve të hyrjes, shkallës, muraturave të jashtme të cilat qytetarët nuk kanë patur mundësinë t’i realizojnë vetë. Ne kemi përzgjedhur 9 kompani të ndryshme të cilat po kryejnë parallel këtë punë në qytet, rreth 400 pallate kanë përfunduar punën, duke i bërë objektet më të qëndrueshme, më të forta dhe i kanë rritur vlerën pronës.

Sa i takon punës për banesat individuale ka filluar puna për 500 objekte. Këshilli Bashkiak Durrës ka miratuar 1000 objekte të cilat do të ndërtohen nga e para. Ka disa prej tyre të cilat për arsye teknike, për arsye të vendndodhjes në territor, për arsye të pronësisë së vogël, nuk mund të ndërtohen po aty ku janë. Për këto familje ne kemi dhënë mundësi të marrin grantin e rindërtimit, të marrin lejen e ndërtimit dhe t’i kryejnë vetë punimet.