Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, në një takim virtual që pati me të rinj të qytetit, që më 25 prill do të votojnë për herë të parë, ju përgjigj pyetjeve të ngritura prej tyre.

Një ditë, pasi Këshilli Bashkiak kaloi me urgjencë Planin e Përgjithshëm Vendor, e pyetur nga një i ri, kryetarja e bashkisë së qytetit bregdetar, foli për herë të parë për projektin e portit të Durrësit, i cili, siç ka premtuar kryeministri, do të ndërtohet nga kompania nga Emiratet e Bashkuara Arabe EMAAR.

Sipas Sakos, porti i ri turistik do të jetë porti më i rëndësishëm në Ballkan dhe do të ndikojë në zhvillimin e turizmit, por edhe ekonomisë durrsake.

Kryebashkiakja theksoi se porti dhe zbulimi i amfiteatrit tërësisht janë projekte që do të implementohen gjatë mandatit të tretë qeverisës të Ramës.

“Ne na pret një e ardhme ndryshe për qytetin tonë. Kemi projekte shumë të rëndësishme, siç është ai i portit, i cili do ta shfaqë atë në një arenë ndërkombëtare akoma dhe më mirë, ku zhvillimi i tij do të sjellë jo vetëm turizëm dhe ekonomi, por do të jetë porti më i rëndësishëm i Ballkanit.

Një projekt tjetër mjaft ambicioz është kultura, trashëgimia kulturore që ne kemi, e cila me hapjen e amfiteatrit do të marrë më në fund atë vend që i takon Durrësit në arenën ndërkombëtare.

Këto janë të gjitha vizione të cilat ne do t’i aplikojmë, do t’i zhvillojmë në mandatin e tretë dhe me mbështetjen direkte të kryeministrit Rama”,- tha Sako para të rinjve, që do të votojnë për herë të parë.