9 nëntor 2015 – Një titull i humbur në garën e fundit është diçka që nuk mund të përtypet lehtë as nga një pilot si ai që në karrierë është shpallur 9 herë kampion bote, madje në 6 raste e ka fituar kampionatin në klasin mbretëror Moto Gp.
Valentino Rossi e ka të gjithë inatin me Marc Marquez. Sipas Doktorit, ajo që bëri spanjolli i Hondas në garën e fundit në Valencia është dicka e papranueshme për këtë sport. Italianit nuk i ka pëlqyer aspak sjellja e Marquez me Rossin që shfryu gjithë zhgënjimin e tij për titullin e munguar në drejtim të 22-vjeçarit.
“Ajo që ndodhi ishte e turpshme. Marquez bëri rolin e truprojës së Lorenzos dhe kjo është një gjë shumë e trishtueshme. Ndodhi pikërisht ajo që prisja, dhe për më tepër e kisha kuptuar që do të shkonte kështu pasi dëgjova deklaratat e tyre përpara garës. Marquez dhe Lorenzo realizuan pikërisht të ashtuquajturën biskotë”.
Për Rossin fajin që nuk arriti dot te titulli i 10-të e ka vetëm një njeri dhe ai është Marc Marquez. “Ajo që ndodhi ishte diçka e shëmtuar për sportin tonë. Në 2 garat e fundit ka ndodhur diçka që askush nuk e priste. Mu desh të luftoja me dy pilotë shumë të fortë edhe pse rival kisha vetëm njërin prej tyre. Edhe në Valencia të gjithë e panë planin e tyre. U mundova deri në xhiron e fundit duke dhënë maksimumin tim dhe për këtë arsye jam shumë i trishtuar, pasi humba një titull që meritoja ta fitoja. Po e përsëris edhe njëherë që përpara garës u kuptua që Marquez dhe Lorenzo dëshironin të bënin biskotën si në futboll”.
Jashtëzakonisht i lumtur për triumfin e arritur u shfaq Jorge Lorenzo, i cili e pranoi se Marquez dhe Pedrosa i dhanë një ndihmë të madhe që titulli Botëror i Moto Gp të mbetej në Spanjë.
/portali DurresLajm/