Nga Artan Fuga
Gërdurrs
9 nëntor 2015 – Katastrofa e ndotjes me naftë a zift në gjirin e plazhit të Durrësit është një tragjedi e rëndë kombëtare.
Kur platforma nafte kanë shkaktuar një ndotje të tillë, në botë lajmi ka marrë dhenë nga mediat planetare dhe çështja është ndërkombëtarizuar.
Duhet shpallur katastrofë mjedisore kombëtare.
Dëmi mund të matet e vlerësohet me miliona euro ose dollarë.
Është një Gërdec bregdetar.
Duhet të ndërhyjë ushtria për pastrim si edhe të mobilizohen të gjitha forcat e vendit që kanë mjete pastrimi për ta ruajtur dhe shpëtuar bregdetin turistik më të dendur të kombit.
Nuk është çështja vetëm e peizazhit. Janë mijëra familje që marrin ajrin e ndotur. Janë mijëra biznese që janë dëmtuar nga prishja e imazhit dhe e kushteve të jetës të turistëve. Janë kushedi sesa tonelata peshqish dhe vezësh organizmash ujore ose larvash të dëmtuara. Nafta kancerogjene ka goditur për një kohë të gjatë pasurinë biologjike nënujore. Është dëmtuar peshkimi. Po ashtu ndotja prek gjithë zinxhirin biologjik dhe penetron shtresat e rërës duke shkaktuar pasoja afatgjata. Jo vetëm peshqit, guaska, molusqet, etj., por edhe zogjtë e shpendët rrezikohen rëndë. Guaskat gjithashtu. Janë prona jonë e përbashkët që dikush i papërgjegjshëm na i ka cenuar rëndë dhe ndofta duke përfituar nga regjimi i lëshuar i respektimit të standardeve të sigurisë dhe të mbrojtjes të mjedisit.
I gjithi zinxhiri i restoranteve që gatuajnë peshk do të dali me buzë të kuqe. Hajde dalloje tani se po ha peshk apo një sasi nafte të ngrirë, apo se kemi ne mundësi ta dallojmë origjinën nga vjen peshku !!!
Industria e kapjes, përpunimit dhe kulinaria e mbështetur te karkalecat, midhjet, oktapodët, etj., është shtrirë përdhe. Hajde gjeje nëse vijnë nga gjiri i Gërdurrësit apo nga gjetiu…
Çfarë të kemi bërë o Zot!
Për vite me radhë gjurmët e ndotjes do të transmetohen nga një gjeneracion te tjetri.
Mos e merrni lehtë, kur në gjirin e Meksikos plasi u bind dreqi…
Duhen mbledhur të gjitha OJQ-të e interesuara. Duhen kalkuluar të gjitha dëmet. Duhet thirrur ekspertiza ndërkombëtare.
Lëreni Komisionin e Venecias, shihni Gjyqin e Hagës!
Nëse nuk janë zbatuar kërkesat e standardeve të anijeve të ndryshme ose cisternave duhet që të nxirren përgjegjësitë.
Kërkohen dëmshpërblime të mëdha nga shkaktarët e tragjedisë.
Gjithë shteti, organet e sigurisë, forcat e sigurisë kombëtare, operatorët që zotërojnë mjete duhet të ndërhyjnë.
Pasojat e katastrofës do të jenë disavjeçare, qindra mijë vetë dhe mijëra familje të prekura në zemër të jetës të tyre.
Na duhet një celulë krize, një celulë informimi, një alarm i tërë. Vëzhgimi i detit gjen gjurmën e rrjedhjes së naftës, mund të ketë qenë aksident, por edhe i qëllimshëm.
/portali DurresLajm/