8 nëntor 2015 – Shtatë vjet pritje, për të përjetuar sërish emocionet e ringut. Edhe pse në moshën 44-vjeçare Luan Krasniqi nuk zhgënjeu. Kampioni shqiptar i boksit fitoi me knock out duelin përballë amerikanit Danny Williams.

Sfida e zhvilluar në kuadër të ‘Charity Fight 2015’, u mbyll pas katër raundeve.  Pas kombinimeve të sakta të Krasniqit, Williams përfundoi në tapet dhe trajneri i tij u detyrua ta ndërpriste duelin. Sfida ashtu si e gjithë mbrëmja e boksit kishte karakter humanitar. Paratë e fituara nga shitja e biletave do të shkojnë për familjet në nevojë, ndërsa një pjesë e tyre për fshatin e fëmijëve SOS në Kosovë.

Krasniqi është shqiptari më i suksesshëm në boksin profesionist, ku ka fituar titullin Kampion Europe në peshat e rënda, ndërsa tentoi pa sukses të fitonte titullin Botëror WBO.  Ai u tërhoq nga boksi në fundin e vitit 2011, pas një karriere ku në 35 duele si profesionist numëron 30 fitore, 1 barazim dhe 4 humbje. Sfida e fundit për Luan Krasniqin ishte ajo i vitit 2008, kur u mposht nga ukrainasi Alexander Dimitrenko. Sipas gjasave, kjo ishte hera e fundit që kampioni shqiptar i boksit hipi në ring.

/portali DurresLajm/