8 nëntor 2015 – Lajme të këqija për Lindsey Vonn. Skiatorja amerikane sapo ishte deklaruar 100 për qind e rikuperuar dhe gati të kthehej në pistë për Kupën e Botës më 28 nëntor. Por për fatin e keq, rehabilitimi nga dëmtimi që pësoi në kavilje gjatë verës, u shoqërua nga një tjetër problem. Vonn është lënduar sërish, por këtë herë aksidenti surreal nuk lidhet me skitë, por nga qentë që mban në shtëpi. Kampionia amerikane u detyrua të shkojë te kirurgu për t’iu nënshtruar një operacioni në dorën e djathtë, ku ishte kafshuar nga qentë e saj.

Episodi u tregua nga vetë Lindsey, që e shtrirë në shtratin e kirurgut dhe pak çaste përpara ndërhyrjes kirurgjikale, dokumentoi gjithçka, me një video që më pas e postoi në Twitter. 31-vjeçarja i qetësoi të gjitha fansat, duke treguar se kafshimet në dorë erdhën pas tentoi të ndante qentë gjatë një loje me frisbi. Pas ngjarjes Vonn e cilësoi “fundjavën si mjaft zbavitëse”. Nga imazhet e publikuara nga skiatorja, plagët e marra në dorë duken mjaft serioze dhe ende nuk dihet sa kohë mund t'i nevojitet amerikanes që të marrë veten.

/portali DurresLajm/