8 nëntor 2015 – Kontestime, pështymje dhe tentativë për të goditur arbitrin. Fundi i ndeshjes Sopoti-Luftëtari në Pezë rikthen edhe një herë aktet e dhunës në Kategorinë e Parë.

Kësaj radhe, është administratori i Sopotit, Iridion Bahiti dhe një prej mbështetësve të kësaj skuadre që sulmojnë gjyqtarin Sokol Çekaj pas ndeshjes, duke e pështyrë dhe duke tentuar ta godasin. Një video që dje ka bërë xhiron e internetit ku arbitri Çekaj, nëse nuk do të kishte vrapuar drejt dhomave të zhveshjes, mund të binte pre e goditjeve të dhunshme të agresorëve. Pak sekonda pasi arbitri ka sinjalizuar fundin e takimit që është fituar nga Luftëtari 1-0, administratori i Sopotit së bashku me një mbështetës të skuadrës i janë afruar arbitrit Sokol Çekaj afër mesit të fushës. Bahiti e pështyn gjyqtarin në momentin që i afrohet afër dhe tenton ta godasë duke zgjatur duart, por janë forcat e policisë private ato që neutralizojnë administratorin.

Në një moment, Çekaj i shpëton vetë sulmit duke u mbrojtur nga goditja e pjesëtarit tjetër të klubit librazhdas që hyri në fushë. Bahiti arrin t’i shpëtojë nga duart tre policëve privatë dhe vrapon drejt gjyqtarit që nxiton të hyjë në dhomat e zhveshjes duke u shpëtuar goditjeve të agresorit.

/portali DurresLajm/