6nentor 2015 – Pas disfatës 3-0 ndaj Skënderbeut, e cilësuar si një humbje historike dhe poshtëruse, trajneri Zhorzh Zhezus dhe lojtarët e rinj të Sportingut u vunë në bankën e të akuzuarve. Tekniku u cilësua si shkaktari kryesor i turpërimit, duke u etiketuar si një njeri me instikt vetëvrasës. Gjithsesi, drejtuesi i stolit nuk u shfaq shumë i shqetësuar pas ndeshjes.“Në pamje të parë rezultati është më i thellë nga ajo që tregoi realisht fusha. Gjithsesi kemi pësuar dy gola për gabimet e portierëve tanë dhe që do ta ndihmojnë ekipin të rritet. Humbja na heq një mundësi të mirë në rrugën për t’u kualifikuar në fazën tjetër të Europa League. Nuk jemi plotësisht jashtë, por çdo gjë bëhet më e vështirë”.
Zhezus u shpreh i zhgënjyer nga disa lojtarë, të cilët shihen si fajtorët e humbjes. Trajneri nuk u pendua për rotacionin në skuadër, duke thënë se disa elementë dhanë indikacione që ekipi mund të mbështetet tek ata në vazhdim të sezonit.
Më i ashpër Drejtori Sportiv i skuadrës nga Lisbona, Augusto Inacio. Sipas zyrtarit të klubit, “lojtarët e rinj nuk e shfrytëzuan mundësinë e dhënë nga trajneri”. Inacio shprehu keqardhje për disfatën e rëndë në Elbasan Arena, por tha se “Sporting ishte një hija e vetvetes përballë Skënderbeut dhe nuk krijoi asnjë rast për shënim”. I zemëruar me humbjen ndaj kampionëve të Shqipërisë u shfaq edhe presidenti i Sportingut, Bruno Carvalho. Ashtu siç e ka traditë, ai e shoqëroi skuadrën në transfertën në Elbasan, por pas fërshëllimës finale vrapoi të largohej nga stadiumi. Duke e cilësuar rezultatin si një prej humbjeve më të rënda nën drejtimin e tij, kreu i klubit portugez lëshoi kritika për skuadrën në Facebook, duke ndezur një polemikë që pritet të zgjasë deri në fund të sezonit.
/portali DurresLajm/