5 nëntor 2015 – U luajtën 7 nga tetë ndeshjet e kthimit të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Njëra prej tyre, Skënderbeu-Sopoti, është shtyrë disa ditë në kohë, për shkak se kuqebardhët do të sfidojnë në “Elbasan Arena”, Sportingun e Lisbonës, ndeshje kjo e vlefshme për Grupin H të Ligës së Europës. Gjithsesi, duke ditur rezultatin e ndeshjes së parë mes kampionëve dhe librazhdasve, 1-1, si dhe pretendimet e të dyja palëve, nuk do mend për të thënë se Skënderbeu do të jetë në çerekfinale.

Për ta zyrtarizuar këtë, megjithatë, duhet pritur data 11 nëntor. Në ballafaqimet e tjera ka pasur pak histori, sepse gjithçka ishte vendosur në ndeshjet e para. Vetëm në Krujë e Shkodër adrenalina ka qenë në shkallën sipërore. Kjo për faktin se Laçi dhe Vllaznia, respektivisht, kishin barazuar pa gola në Ballsh dhe Fier. Së këndejmi, gjithçka niste nga “zero” ditën e sotme. Në këto dy stadiume (Vllaznia ka luajtur në “Reshit Rusi”) ka pasur luftë të fortë sportive, si dhe rezultate të ngushta.

Mes drithërimash është kualifikuar fituesi në fuqi i Kupës së Shqipërisë, Laçi, duke mundur 3-2 Bylisin. Heroi i kurbinasve ka qenë nigeriani Xhejms, me tripletën e tij personale. Vllaznia ka vuajtur jo pak me fierakët e Kategorisë së Parë. Rezultati 2-1 ka ardhur me “zemër në dorë” për kuqeblutë, sepse Apolonia nuk ka toleruar, por ka dëshmuar potencialin e saj të vërtetë.

Fitore pa sforcim kanë arritur edhe skuadrat e tjera të Superiores në fushat e tyre, edhe pse kanë aktivizuar mjaft lojtarë stoli. Tirana, Kukësi, Flamurtari, Teuta dhe Partizani janë çerekfinalistët e tjerë të këtij kompeticioni, veç shkodranëve dhe kurbinasve.

Sikurse dihet, skema e përplasjeve është e paracaktuar, ndërsa short do të ketë vetëm në përcaktimin e çifteve gjysmëfinaliste, ndëmjet 4 ekipeve të kualifikuara në këtë tur. Finalja e këtij kompeticioni do të luhet më 25 maj 2016, në një stadium që do të përcaktohet nga FSHF-ja dhe varet nga skuadrat finaliste.

Turi i tretë eliminator, ose çerekfinalet, do të luhet në datat 3 dhe 17 shkurt të vitit të ardhshëm. Edhe këtu, skuadrat e kualifikuara do të luajnë ndeshje me sistemin vajtje-ardhje.

/portali DurresLajm/