3nentor 2015 – Në fakt, stadiumi kombëtar “Arena Kuqezi”, duhej të ishte përuruar para tri vitesh. Po mesa duket, u desh kualifikimi i Kombëtares në finalet e “Francë 2016”, që “qeveria Rama” të lëvizte dhe të hapte dritën jeshile për ndërtimin e tij, pikërisht aty ku ndodhet sot “Qemal Stafa”. Tashmë gjërat duken më serioze. Lokalet në mjediset e stadiumit janë lajmeruar që në fund të vitit të lirohen, pasi do të nisë prishja e tij. Projekti i stadiumit të ri “Arena Kuqezi” është gati qysh prej më shumë se 5 vitesh, në pritje të zbatimit. Të dielën, kreu u qeverisë, Rama, dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, të shoqëruar nga arkitekti projektues italian i firmës “Serenissima Construzioni”, si dhe përfaqësues të kompanive që do të merren me prishjen dhe ndërtimin e “Arenës Kuqezi”, kanë qenë në stadiumin “Qemal Stafa” për të diskutuar rreth këtij prej projekti. Dihet, që “shtëpia” më e re e Kombëtares kuqezi, do të ketë një kapacitet prej 22.000 vendesh dhe ai do të jetë i gjithi i mbuluar. Ai do të zërë një hapësirë prej 14.000 metrash katrorë, që do të shërbejnë si qendra biznesi dhe 4000 metra katrorë do të jenë në dispozicion të FSHF-së, e cila do të transferohet dhe do të ketë selinë e saj në mjediset e reja të “Arenës Kuqezi”.

Kostoja financiare për ndërtimin e stadiumit kombëtar “Arena Kuqezi” mendohet të shkojë rreth 50 milionë euro sipas specialistëve dhe koha për përfundimin e tij, duke llogaritur nisjen e prishjes së “Qemal Stafës” në janar të vitit të ardhshëm, të jetë fundi i vitit 2018. Prishja dhe ndërtimi i “Arenës Kuqezi”, do të jetë i gjithi “made in Albania”. Një kompani e fuqishme ndërtimi, emri i së cilës ende mbahet sekret, ka arritur të blejë projektin e firmës italiane “Serenissima Construzioni” dhe do të jetë ajo zbatuesja e saj. Eshtë mësuar gjithashtu në kushte konfidicialiteti, se për ndërtimin e “Arenës Kuqezi”, FSHF është e gatshme të investojë deri në 10 milionë euro. Ndërkohë, paraprakisht thuhet se, 10 milionë euro do të jetë edhe “dhurata” e “qeverisë Rama” për Kombëtaren kuqezi, shifër kjo që edhe mund të rritet në të ardhmen. Mendohet, që konçesionari i stadiumit, që me gjasa mund të jetë po firma ndërtuese, të shtojë pjesën e mbetur të financimit për ndërtimin e “Arenës Kuqezi”, e cila parashikohet të përurohet në fund të vitit 2018.

/portali DurresLajm/