31 tetor 2015 – Nga Eva Carneiro te Marina Granovskaia, gratë janë protagoniste në jetën e Jose Mourinho-s. Nëse ish-doktoresha e Chelsea-t e kërcënon se do ta padisë klubin pas sjelljes së Mourinho-s karshi saj, “Special One” e ka shpëtuar vendin e punës vetëm falë bashkëpunëtores më të ngushtë të Roman Abramovich-it.
Sipas shtypit anglez, “Zonja e Hekurt” ka dalë kundër shkarkimit të trajnerit portugez, edhe në rast se kampionët e Anglisë do të humbasin edhe ndeshjen e së shtunës ndaj Liverpool. Hierarkia te Chelsea është e qartë: drejtori sportiv Michael Emenalo zgjedh futbollistët, ndërsa Marina Granovskaia (si drejtoreshë e përgjithshme e klubit) merret personalisht me gjithë pjesëtarët e tjerë të stafit.
/portali DurresLajm/