31 tetor 2015 – 14 pikë në 8 javë kampionat nuk janë pak për një skuadër që në fillim të sezonit parashikohej se do të luftonte për mbijetesë, madje nëse shikojmë ecurinë e Teutës tashmë mund të thuhet me plot gojën se durrsakët janë surpriza e vërtetë e këtij edicioni të Kategorisë Superiore. Megjithatë, këtë të diel, formacioni i Gugash Maganit do të ketë një ndeshje shumë të vështirë pasi do të presë në “Niko Dovana”, Partizanin e Sulejman Starovës. Të Kuqtë i kanë mundur në të 4-ta ndeshjet sezonin e kaluar Djemtë e Detit, prandaj Teuta për të bërë rezultat ndaj Partizanit duhet të përsërisë vetveten ose më saktë të përsërisë Teutën e para 2 sezoneve pasi në 2014-n në “Niko Dovana”, durrsakët morën 2 rezultate pozitive radhazi ndaj të Kuqve fillimisht një barazim 1-1, në 8 mars ndërsa më pas një fitore 3-1 në 13 prill.

Përballë një Partizani që vjen në këtë ndeshje pas 7 fitoreve radhazi, Teuta nuk do ta ketë aspak të lehtë, por skuadra e Maganit në këtë sezon ka treguar se di të luajë një futboll të bukur madje di të bëjë rezultat edhe përballë skuadrave më të forta. Në Durrës parashikohet një ndeshje shumë e luftuar pasi siç ka deklaruar edhe trajneri i Djemve të Detit, Gugash Magani, Teuta nuk do të zbresë në fushë për t’u mbrojtur, por për të fituar. Për të ndalur ecurinë fantastike të Partizanit në kampionat, Teuta do të niset nga ato 6 minuta të fundit ndaj Laçit por edhe nga ndeshja ndaj Skënderbeut ku durrsakët arritën të merrnin një barazim 2-2 në transfertë.

Ekipi i Teutës i drejtuar nga trajneri Gugash Magani vijon me përgatitjet antiPartizan, ku dje kanë zhvilluar dy seanca stërvitore. Seanca e parë ka qenë më shumë e karakterit fizik dhe ka zgjatur rreth një orë, ndërsa në seancën e dytë trajneri Magani e ka ndarë ekipin në dy grupe dhe ka zhvilluar një ndeshje kontrolli. Në këtë sfidë, përveç përcaktimit të formacionit të mundshëm për të dielën, është parë edhe gjendja, ku u provuan edhe disa skema loje. Ekipi është përqendruar totalisht te sfida e radhës, që do të luajnë në fushën e tyre, të dielën, në orën 17:00, kur do të presin Partizanin. Teuta aktualisht ka 14 pikë, duke u renditur në vendin e katërt, kurse Partizani në vendin e parë me 22 pikë. Të kuqtë e kryeqytetit kanë arritur të marrin 7 fitore dhe një barazim, ndërsa durrsakët kanë katër fitore, dy barazime dhe dy humbje.

Ky është momenti më i mirë për Teutën për t’u përballur me ekipin që udhëheq kampionatin, pasi dhe “djemtë e detit” po tregojnë një formë të mirë në këto javë. Stafi teknik dhe ai administrativ, si dhe presidenca janë duke i qëndruar afër ekipit në prag të kësaj sfide. Pozitive për skuadrën e Teutës është fakti se lojtarët nuk kanë presione dhe ngarkesa psikologjike për rezultatin.

Të besuarit e trajnerit Magani u bëjnë thirrje edhe tifozëve durrsakë që të shkojnë të dielën në stadium dhe të mbështesin skuadrën. Teuta deri tani ka treguar se është një skuadër, që në fushën e vet di t’i sfidojë skuadrat e mëdha, gjë të cilën e ka bërë edhe më parë ndaj Tiranës, Partizanit apo edhe Skënderbeut. Madje në ndeshje të tilla stadiumi mbushej plot. Futbollistët shpresojnë dhe u bëjnë thirrje tifozëve që edhe në këtë sfidë të vijnë dhe ta mbështesin ekipin e tyre. Ata duan që të jenë sa më të shumtë, sepse në këtë ndeshje do të luhet deri në vërshëllimën përfundimtare. Optimizmi për rezultat pozitiv nuk mungon në radhët e durrsakëve, ndonëse e pranojnë se i pret një ndeshje e vështirë.

/portali DurresLajm/