30 tetor 2015 – I pezulluar për 90 ditë, pas zbulimit të një pagese të paregjistruar nga FIFA, Mishel Platini nuk ka ndërmend të dorëzohet dhe është i bindur se do të jetë ai i përzgjedhuri për postin e presidentit në FIFA.
Francezi akuzon Komisionin e Etikës në FIFA se e ka marrë vendimin për pezullimin e tij pa e hetuar fare çështjen, ndaj ka paralajmëruar ankesë në CAS. Favorit i madh për të pasuar Blaterin, para pezullimit, Platini vazhdon të besojë se do të fitojë.
“Jam personi më i zoti për të drejtuar futbollin. Dy milionë eurot që më ka dhënë FIFA përfaqësojnë 4 vite punë, që nuk më ishin paguar kur isha këshilltar special i presidentit, i cili ma ofroi vetë atë post dhe atë pagë. Punova, kisha një kontratë verbale që në Zvicër është e ligjshme, u pagova 9 vite më vonë dhe i deklarova ato para, ndaj nuk ka arsye përse të konsiderohem shkelës i ndonjë ligji. Pezullimi i dhënë ndaj meje është bërë me qëllim të keq, pasi më pengon të bëj fushatë, por nuk përbën një problem për mua. Do ta vazhdoj betejën për pastrimin e futbollit dhe të FIFA-s dhe e di që jam njeriu më i mirë për këtë punë”, ka thënë Platini.
/portali DurresLajm/