29 tetor 2015 – Edhe pse na ndan afro një vit nga starti i kualifikueseve të Botërorit 2018, kundërshtarët e Shqipërisë kanë nisur të mendojnë jo vetëm për luftën sportive në fushë, por mbi të gjitha për prapaskenat që mund t’i ndihmojnë për të thyer kuqezinjtë.
Maqedonia, rivali i parë i Kombëtares më 5 shtator 2016, po shqyrton alternativat si mund të ndikojë në fatet e ndeshjes. Një ide është spostimi i sfidës nga Shkupi, për faktin se mbështetja për ekipin e Gianni de Biasit do të ishte mjaft e madhe, pasi në kryeqytet jetojnë mijëra njerëz me origjinë shqiptare. Për të bërë të pamundur që numri i mbështetësve kuqezi të jetë më i lartë se ai i maqedonasve, federata kërkon që ndeshja e parë kualifikuese në Grupin G drejt Rusi 2018, të mos luhet në impiantin ‘Filipi i Dytë’. Kjo pavarësisht faktit që stadiumi me kapacitet 33 460 vende, i cili do të presë edhe finalen e Superkupës së Europës në gusht të vitit 2017, është i vetmi stadium në Maqedoni që plotëson kriteret e licencimit nga UEFA.
Sipas burimeve jo zyrtare, një variant i marrë në konsideratë nga Federata Maqedonase është që sfida të luhet në Strumicë, i cili është edhe qyteti më i largët lindor, prej kufirit me Shqipërinë. Por, siç e konfirmojnë imazhet, stadiumi “Mladost” me kapacitet më të ulët se 6 400 vende vështirë se plotëson kriteret minimale për ndeshje në kategoritë elitare dhe as që mund të cilësohet alternativë për ndeshjet ndërkombëtare. Edhe nëse nuk realizohen, manovrat e maqedonasve mund të merren si një paralajmërim. Prej hedhjes së shortit, ndeshja është cilësuar e rrezikshme. Mjafton të kujtosh miqësoren e fundit në Prilep në nëntor të vitit 2011 , kur grupimi Majmunët fyen himnin shqiptar dhe lëshuan thirrje racistë dhe që nxisnin urrejtje ndëretnike. Skena të tilla përsëriten vazhdimisht në sportin maqedonas, madje edhe në startin e këtij sezoni futbollistik, pikërisht në Shkup nga huliganët e Vardarit.
/portali DurresLajm/