28 tetor 2015 – Që policia nuk ka pasur fort marrëdhënie të mira me tifozët e Partizanit, kjo është vërtetuar në hyrjet e stadiumit “Qemal Stafa”, ku mbështetësit e kuq janë shtypur njëri me tjetrin për të depërtuar në një portë të vetme, si në një “shteg dhie”.
“Ultras Guerrils”, ka reaguar ndaj sjelljes së uniformave blu, duke mos toleruar sekuestrimin e banerave të tyre, pa asnjë fyerje e mbishkrim racist. Një përplasje e patën edhe në stadiumin e Pukës, kur policët ua tërhoqën me forcë banerin e tyre të varur në kangjellat prej hekuri të rrethimit të stadiumit, duke e grisur atë.
Mirëpo, së fundi, një polic rrugor është fotografuar përpara autobusit të të kuqve, pas ndeshjes me Skënderbeun. Duket sikur është duke vendosur gjobë. Kjo foto që po përhapet me shpejtësi në rrjetet sociale, ka ardhur si “ngushëllim” për tifozët korçarë, të cilët i kanë vendosur diçiturën “Kur polici nxjerr inatin e humbjes së Skënderbeut”.
Vërtet ta ketë bërë polici këtë veprim si shfryrje dufi për humbjen e Skënderbeut ndaj Partizanit? E vështirë të thuhet, përderisa nuk mund të identifikohet nominalisht se cili është dhe me kë është ai tifoz.
/portali DurresLajm/