24 tetor 2015 – Armand Duka i ka dërguar një letër trajnerit të kombëtares, Xhani De Biazi, në mënyrë të personalizuar, ashtu si edhe futbollistëve kuqezi. Bëhet fjalë për një mesazh inkurajues e motivues para dy ndeshjeve të fundit kualifikuese në grup, ndaj Serbisë në “Elbasan Arena” dhe ndaj Armenisë në Jerevan, ku u vendos edhe fati i kualifikimit historik në finalet e “Euro 2016”.
Kreu i FSHF-së, sikurse ka deklaruar në media ditët e fundit, përmes kësaj mënyre ka dashur të shprehë mbështetjen e tij për kombëtaren. “Pas humbjes me Portugalinë, kur skuadra dhe trajneri kishin pësuar njëfarë shoku psikologjik, u kam dërguar një letër futbollistëve, menjëherë pas ndeshjes, pasi u larguan drejt klubeve të tyre.
Ishte një letër motivuese për dy ndeshjet e ardhshme. Po kështu kam bërë edhe për De Biazin, veçse letra ka qenë e personalizuar për të, jo si e futbollistëve. Trajnerit i kam thënë se nuk duhet të shqetësohej për gjëra dytësore, sepse do të jesh trajneri i Shqipërisë sido që të ndodhë”, ka zbuluar Duka në “Anadolu Agency”.
Është menaxhimi i tij i mirë, drejtimi i tij i mirë, selektimi i tij i mirë, që ka ndihmuar shumë në arritjen e këtij suksesi. Pastaj, të gjitha bashkë, bashkimi i të gjitha gjërave, bën atë të tërën, për të shkuar në sukses. Kështu që, në këtë këndvështrim, jemi shumë të kënaqur nga marrëdhënia dhe bashkëpunimi deri më sot me De Biazin. Kemi shprehur vullnetin për ta vazhduar këtë marrëdhënie kohë më parë.” Pas festës vijnë angazhime të tjera. Jeta vazhdon, sikurse kombëtarja shqiptare do të kërkojë të bëjë paraqitje sa më dinjitoze në finalet e “Euro 2016”. Deri qershorin e vitit të ardhshëm ka edhe shumë punë për t’u bërë, çka e pranon edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
“Pas ndeshjes me Armeninë dhe festës dyditore, kemi menduar të përcaktojmë ndeshjet e ardhshme të nëntorit, miqësoret për t’i shërbyer ekipit dhe përgatitjeve për Kampionatin Europian. Objektiv i FSHF-së është që të zhvillohen dy ndeshje në nëntor, njëra nga këto me Kosovën.
Nuk e kemi përcaktuar datën fikse. Duhet që të kontaktojmë oponentët e tjerë dhe pastaj të përcaktojmë datën e miqësores, por gjithsesi ne do të bëjmë një ndeshje në nëntor në Prishtinë besoj, pasi mbetet për t’u përcaktuar nga Federata e Kosovës. Realisht, vizita e ekipit kombëtar në Kosovë nuk është thjesht sportive, por edhe festive, më shumë. Qëllimi është që ekipi të vizitojë një pjesë të trojeve shqiptare dhe të festojmë së bashku”, deklaron Duka. Presidenti i FSHF-së dhe trajneri i kombëtares drekuan dje së bashku në kryeqytet, ku kanë biseduar për shumë gjëra, kontratën, vendin e akomodimit në Francë, miqësoret e nëntorit, por edhe janë mbyllur disa gjëra të prapambetura në aspektin financiar, që kanë të bëjnë me shpërblimet për kualifikimin në “Euro 2016”.
/portali DurresLajm/