23 tetor 2015 – 13 pikë në 7 javë kampionat janë një sinjal mëse i qartë se Teuta e Gugash Maganit nuk do të ketë objektiv kryesor mbijetesën në këtë sezon. Barazimi 2-2 ndaj kampionëve të Skënderbeut në Korcë javën e kaluar ishte një tregues që “Djemtë e Detit”, i kanë mundësitë për të synuar 1 nga 5 vendet e para në klasifikimin e Kategorisë Superiore në përfundim të kampionatit.
Durrsakët janë shfaqur si një nga ekipet më simpatike të këtij fillim sezoni teksa me djem të rinj si Eri Lamcja, Artur Magani, Bruno Dita e Emiliano Musta të ndërthurur me eksperiencën e Rizvanit, Hodos e Mihanit po tregojnë se dinë të rivalizojnë denjësisht edhe me skuadra si Skënderbeu. Gjithsesi java e 8-të paraqet një ndeshje shumë të vështirë për Teutën. Formacioni i Maganit do të sfidojë Lacin në transfertë, një skuadër që mund të konsiderohet në kuptimin e plotë të fjalës si macja e zezë e durrsakëve.
Në 25 prill të vitit 2012 pikërisht një disfatë 1-0 ndaj Lacit në stadiumin Kastrioti të Krujës bëri që Teuta të humbiste vendin e parë në klasfikim, pozicion në të cilin u ngjit Skënderbeu i drejtuar nga trajner cek Stanislav Levi në atë kohë, korcarët e ruajtën deri në fund këtë pozicion duke fituar titullin e dytë kampion radhazi.
Por Laci jo vetëm që i hoqi mundësinë e fitimit të kampionatit Teutës në 2012-n, por i ka mundur durrsakët edhe në 5 nga 6 ndeshjet e fundit, me “Djemtë e Detit” që regjistrojnë vetëm 1 barazim përballë kurbinasve. Në këtë mënyrë sfida e kësaj të Diele është mundësia më e mirë që Teuta të hakmerret ndaj Lacit. Skuadra e Gugash Maganit po përjeton një moment të shkëlqyer forme dhe në ndryshim nga formacioni i Cungut që nuk ka grumbulluar asnjë pikë, Teuta në dy ndeshjet e fundit ka marrë 4 pikë, dhe ka gjithashtu 4 pikë më shumë se Laci në klasfikim.
Përvec dy mungesave të sigurta atyre të Zefit dhe Cetkovic, trajneri Armando Cungu do të bëjë edhe pa mbrojtësin kroat Stipe Buljan përballë durrsakëve, pasi ky i fundit u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Kukësit. Për të thyer tabunë Lac, Teutës i paraqitet një mundësi ideale edhe pse ndeshja e kësaj të Dielë do të tregojë më mirë se cili është potenciali i vërtetë i kësaj skuadre. Për të lënë pas në renditje skuadra si Flamurtari, Laci apo Tirana dhe për të synuar një vend të 4-t që mund ti kualifikonte në Kupat e Europës, Djemtë e Detit duhet minimalisht të mos humbasin ndaj kurbinasve të dielën.
/portali DurresLajm/