22 tetor 2015 – Ekipi i Teutës ka marrë një pikë me mjaft vlera në Korçë ndaj kampionëve të Skënderbeut. Për durrsakët, në atë transfertë shumë të vështirë kanë arritur të shënojnë Musta dhe Dita. Ky i fundit, ka treguar emocionet e golit, por edhe faktin që skuadra e tij ka arritur të dalë me një rezultat pozitiv nga ajo ndeshje. “Ishte një përballje që e kishim vlerësuar maksimalisht dhe shkuam atje për të luajtur futboll, pse jo për të marrë dhe fitoren. Ne pësuam shumë shpejt golin e parë, por ditëm të reagonim e të kthenim rezultatin në pak minuta duke dhënë sinjale të qarta që nuk kishim shkuar në Korçë për t’u mbrojtur apo për një pikë.

Pas barazimit të Mustës, e rimorëm veten shumë shpejt, madje dhe kaluam në avantazh me anë të golit të shënuar nga unë, por që fatkeqësisht nuk mundëm të mbronin rezultatin. Nuk duhet të harrojmë se të katërt golat u shënuan në 20 minutat e para, loja ishte e hapur dhe rastet nga të dyja skuadrat nuk kanë munguar.

Gjithsesi, mund të them që një pikë në fushën e kundërshtarëve, të cilët janë kampionët në fuqi është me shumë vlera, pasi asnjë ekip deri më tani nuk e kishte frenuar Skënderbeun”, ka thënë futbollisti kryeqytetas. Sa i takon golit të shënuar, Dita ka thënë:

“Përveç rezultatit, unë kam gëzim të dyfishtë, pasi dhe shënova golin e avantazhit momental dhe është i dyti vit rresht që shënoj ndaj Skënderbeut. Natyrisht që nuk mund ta mohoj gëzimin e golit, por gjithashtu do doja të falënderoja të gjithë ekipin për paraqitjen dhe njëkohësisht trajnerin për mbështetjen dhe besimin.

Sa i përket kundërshtarit, di të them që ne gjithmonë shkojmë dhe luajmë si të barabartë dhe në Korçë shkuam për të luajtur pa asnjë dyshim dhe inferioritet. Ju siguroj që këtë gjë bëjmë në të gjitha ndeshjet dhe kështu do të jetë dhe kundër ekipit të Laçit. Nuk kemi presion dhe kjo gjë na e lehtëson rrugën si dhe vazhdimësinë tonë në kampionat dhe në Kupë. Përgatitemi vetëm për kundërshtarin e radhës, duke kërkuar që të marrim maksimumin”, ka mbyllur prononcimin e tij mesfushori me tipare sulmuese, Bruno Dita.

/portali DurresLajm/