Ish-këshilltari bashkiak dhe urbanisti Ardian Muka ka protestuar sot para bashkisë në nisje të mbledhjes së Këshillit Bashkiak Durrës, ku pika e parë e rendit të ditës ishte miratimi i Planit të Përgjithshëm Vendor.
Muka tha se protesta e sotme e njoftuar në rrjete sociale, kishte për qëllim të ngrinte zërin ndaj miratimit të PPV-së së hartuar që në vitin 2016-ës, që po kalon brenda 3 ditësh për miratim në Këshillin Bashkiak, kur për 5 vite u mbajt i bllokuar.
Sipas urbanistit, miratimi i planit me kaq shpejtësi bëhet vetëm për një arsye; për të kaluar masterplanin e portit të ri të Durrësit dhe për t’i hapur rrugë, ndërtimit të tij nga kompania arabe.
“Qytetarët durrsakë duhet ta kuptojnë, emergjenca është porti i Durrësit. Pra duan t’i heqin Durrësit por edhe Shqipërisë nuklin, portën hyrëse. Një nukël mjaft të rëndësishëm ekonomik, për t’ia falur dikujt për interesa personale me faljen nga ana e tyre të gjoja 2 mijë apartamenteve për të pastrehët nga tërmeti. Për mua ky është një korrupsion i pastër.”
Ndërsa protestonte thuajse i vetëm, Muka pranon se sot para bashkisë duhet të ishin shumë qytetarë durrsakë, pasi plani do të përcaktojë zhvillimin urban të qytetit për 20 vitet e ardhshme.
Ish-këshilltari bashkiak deklaroi se edhe pas miratimit nga Këshilli Bashkiak mund të bëhen amendime të PPV-së, por shpejtësia me të cilin ai po kalon për miratim lë hije dyshimi.
“Mekanizmat ligjorë ekzistojnë. Ekzistojnë amendimet që mund t’i bëhen planit. Por ky plan i aprovuar me kaq urgjencë, pra 6 vite në pritje dhe të kalojë brenda tre ditësh, për mua lë shumë dyshime që për interesa klienteliste dhe për interesa të ngushta të klaneve të caktuara, besoj që do lejë gjurmë të këqija. Siç ka ndodhur gjatë kësaj periudhe.”
Sot Këshilli Bashkiak miratoi online Planin e Përgjithshëm Vendor të bashkisë Durrës. Qyteti bregdetar ishte ndër të vetmit në Shqipëri që zgjerohej dhe ndryshonte pa një plan konkret zhvillimi për vitet e ardhshme.
M.B.





