16 tetor 2015 – Vjen ndalesa e parë për Skënderbeun. Në javën e shtatë, korçarët barazuan 2-2 në shtëpi përballë Teutës, duke ndërprerë ecurinë rekord me 6 fitore radhazi, që ishte starti më i mirë i kampionatit në histori. Por, përkundër rezultatit, ndeshja ishte spektakolare. Gola, aksione mjët të bukura dhe ritëm i jashtëzakonshëm loje. Pas pauzës dhe festës për kualifikimin historik të Kombëtares, Kategoria Superiore provon të sfidojë emocionet kuqezi. Ndeshja ndërmjet Skënderbeut dhe Teutës ishte një vitrinë e rritjes së cilësisë së futbollit shqiptar.Vetëm 54 sekonda mjaftuan për zhbllokimin e sfidës në Korçë. Bernard Berisha konfirmoi formën e shkëlqyer me një aksion mjaft të bukur nga e majta. Topi kalon shkurt te Olayinka që arrin ta dërgojë në qendër, aty Hamdi Salihi kalon vendasit në avantazh.
Pak çaste më pas, Olayinka kishte shansin të dyfishonte shifrat, pasi fitoi duelin me dy mbrojtës të Teutës, Kotobellin dhe Lukiç, por goditja e dobët përfundoi në duart e portierit Moçka. Starti i frikshëm i korçarëve bëri që tifozët në tribuna të festonin duke krijuar një re tymi, e cila detyroi gjyqtarin Sino ta ndërpriste ndeshjen për disa çaste. Ky moment ndikoi te Skënderbeu, që uli ritmin dhe u shpërqendrua. Pikërisht këtu përfiton Teuta. Në minutën e 7-të, Emiljano Musta rikthen barazpeshën, pas një harkimi nga goditje këndi. Mesfushori kërceu më lart se të gjithë dhe duke përfituar edhe nga dalja e pasigurt e portierit Llapanji, i aktivizuar në mungesë të Shehit, e dërgoi topin në rrjetë. Goli goditi psikologjikisht kampionët në fuqi, që u ndëshkuan në të 12-ën nga një tjetër aksion i nisur nga top jo-aktiv.
Harkimi i Lukiç u përplas në mënyrë fatlume te këmbët e Ditës dhe përfundoi në rrjetë.Pas tronditjes, vendasit zgjohen dhe provon me të gjitha mënyrat. Progni me kokë, Salihi me të majtën dhe Berisha. Aksione të rrezikshme që shërbyen si sinjal për golin. Në të 19-ën Piter Olayinka finalizoi një aksion të rrjedhshëm të Skënderbeut, duke iu vjedhur mbrojtjes kundërshtare pas harkimit të Prognit.
Një spektakël i jashtëzakonshëm në Korçë, që mori edhe pëlqimin e forcave të rendit . Të besuarit e Josës iu afruan golit të tretë me Prognin, harkimi i të cilit surprizoi portierin kundërshtar dhe shokët e skuadrës dhe përfundoi në tranversë. Teuta nuk shfaqi shenja inferioriteti dhe provoi të përgjigjej me Mustën, që më parë përfundoi në pozicion jashtë loje. Në anën tjetër Skënderbeu vazhdoi sulmet, duke mos i dhënë rivalëve asnjë moment frymëmarrje. Progni, Shkëmbi nga distanca dhe Arapi tentuan pa sukses. Të përqendruar te mbrojtja, durrsakët nuk harruan kundërsulmet, si në rastin e Lamçes që provoi nga distanca, pa shënjestruar si duhet. Sekondat finale përpara pushimit ndërmjet pjesëve rezervuan një pretendim për 11-metërsh nga Salihi për korçarët dhe tentativa e jo e saktë me kokë e Prognit.
Edhe fraksionini i dytë të lojës nisi aty ku përfundoi i pari: me Skënderbeun në sulm dhe mundësi të mira për shënim. Bernard Berisha kishte shansin e artë të shënonte golin e tretë pas harkimit të Lilajt, por mesfushori gaboi gjithçka në tentativën fluturimthi. Pas tij ishte Olayinka ai që shpërdoroi një tjetër gol thuajse të sigurt. I vetëm me portierin pas pasimit të Salihit, nigeriani u hipnotizua nga Moçka.
Me kampionët që humbën disi ritmin dhe prej ndeshjes së radhës në Europa League në fushën e Sportingut, Josa ndërhyn në skuadër, me Latifin që zëvendëson Prognin, ndërsa skuadra mbetet në sulm. Osmani provoi me kokë pa saktësinë e duhur për korçarët, ndërsa në të 78-ën, ndërsa Salihi ishte me një kohë vonesë pas harkimit të Vangjelit. Ish-mbrojtësi i Aris-it krijon një tjetër mundësi, por mes Olayinkës dhe Salihit ishte portieri Moçka që zgjidhi situatën.Edhe pse ndeshja nuk po zgjidhej, Josa ndryshoi sërish. Olayinka i la vendin Hristov që u shfaq menjëherë i rrezikshëm, duke devijuar një top drejt portës, por Moçka ishte në pozicion. Më pas ishte radha e Salihit të largohej nga fusha duke i lënë vendin Eskerdinjës.
Korçarët humbën forcën në sulm dhe pa shkëlqimin e pjesës së parë shpërdoruan dy mundësi të tjera. Në minutën e dytë shtesë Kotobelli largoi në shtyllën e parë goditjen me kokë të Osmanit, ndërsa në minutën e 95-të Hristov kishte shansin të shndërrohej në hero. Por, i vetëm me portën bullgari bëri të pamundurën dhe në vend që ta shtynte topin në rrjetë e largoi prosi një mbrojtës. Ky episod vulosi edhe gjysmë-hapin e parë fals të Skënderbeut në kampionat, që detyrohet të kënaqet vetëm me një pikë.
/portali DurresLajm/