14 tetor 2015 – Shqipëria është padyshim surpriza e bukur e Euro 2016. Një kualifikim historik, në atë që u cilësua si “grupi i ferrit”. Arritja e jashtëzakonshme e kuqezinjve vazhdon të bëjë bujë në mediat prestigjoze ndërkombëtare dhe tani është “Daily Mail” që i kushton një artikull të veçantë skuadrës së drejtuar nga Gianni De Biasi.“Shqipëria, e vogla ku adhurojnë Norman Wisdom është finalistja e papritur e Europianit në Francë”, ishte titulli i përdorur nga tabloidi i njohur britanik.“Daily Mail” e cilëson Kombëtaren si surprizën e madhe të turneut, duke theksuar se bëhet fjalë për një vend të vogël, me popullsi afro 3 milionë banorë. Nuk mund të mungonte as historia, me Shqipërinë që cilësohet si një prej vendeve më misteriozë, të izoluar dhe sekretë në Europë gjatë diktaturës 40-vjeçare. E përditshmja theksonte se kualifikimi ishte një çështje shumë e rëndësishme për kombin dhe popullsinë, të cilët festuan gjatë në të gjitha trevat shqiptare.
Arritja lidhet me mësimet e marra nga futbolli italian, ku prej vitesh por edhe gjatë këtij sezoni në Serinë A aktivizohen lojtarë shqiptarë, ndërsa trajneri Gianni De Biasi vlerësohet si “një takticien i shkëlqyer”. Daily Mail shkruante edhe për ngjarjet e 14 tetorit 2014 në Beograd, atë që ishte episodi më i diskutuar i kualifikueseve të Euro 2016, ku pas racizmit në tribuna dhe dhunës në fushë, Shqipëria mori fitoren në tavolinë me Serbinë në CAS-in e Lozanës.
“Reagimet e dhunshme të tifozëve serbë dhe dhuna nga të paktën një punonjës sigurie vuri në rrezik lojtarët shqiptarë”, theksonte gazeta.Shqipëria mbetet një prej skuadrave për t’u vëzhguar në Francë. Me një kontingjent të cilësuar “kozmopolitan” ku lojtarët aktivizohen në Gjermani, Itali, Francë, Zvicër dhe liga të tjera ndërkombëtare dhe mjaft talentë të rinj. Mosha mesatare e ekipit është nën 22 vjeç, ndërsa mes atyre që veçoheshin në artikull janë mbrojtësi Berat Gjimshiti dhe Ergys Kaçe, i cili i shënoi Francës në miqësore.“Daily Mail” e cilëson të papritur rritjen e futbollit shqiptar, që deri 6 vjet më parë renditej e 90-ta në klasifikimin e FIFA-s. Merita kryesore është brezi i yjeve të rinj, që gjatë këtij edicioni fituan me Francën dhe Portugalinë dhe regjistruan dy barazime me Danimarkën.
Tabloidi zbulon sesi familja e komedianit të famshëm britanik të lindur në Liverpool, Alexi Sayle e ka origjinën nga Shqipëria, vend që adhuron Norman Wisdom. Aktori i famshëm për rolin e Pitkinit e ka vizituar dy herë vendin tonë pas rënies së kominizmit dhe vlerësohej si një legjendë pas vdekjes në vitin 2010.
Në fund “Daily Mail” shkruante se kuqezinjtë janë një prej rivalëve që “tre Luanët” do t’i preferonin në grupet e Euro 2016, duke kujtuar se në 4 përballje, Anglia ka regjistruar 4 fitore. Prej ndeshjeve që mbahen ment janë ato të kualifikueseve të Botërorit 1990. Më 8 mars 1989 anglezët fituan 2-0 në Qemal Stafa dhe 5-0 në sfidën e kthimit më 26 prill në Wembley. Përballja e fundit ishte në vitin 2001, me Tre Luanët që fituan 2-0 në “St James’ Park” të Newcastle.
/portali DurresLajm/