12 tetor 2015 – A do të kandidojë Vangjush Dako për kreun e Partisë Socialiste në Durrës?
Këtë pyetje bëjnë më së shumti socialistët e Durrësit, të përfshirë në zgjedhjet e strukturave të reja brenda partisë.
“Dako është kreu i bashkisë, por ai merret me të gjitha punët e partisë. Atij i besohet çdo gjë nga Edi Rama”, thonë socialistët, që për ta nuk është aspak çudi që partia zyrtarisht të drejtohet nga kryetari i bashkisë.
Portali “DurrësLajm” pyeti kreun e bashkisë Vangjush Dako.
“Jo, nuk do të kandidoj, nuk është në ambiciet e mia. Ne presim propozimet nga baza, do të shqyrtohen në asamble kandidaturat, dhe asambleja së bashku me anëtarësinë kanë për të votuar kreun e ri në bazë të procedurës, një anëtar një votë. Deri tani ka propozime nga baza e cila është përfshirë në zgjedhjen e krerëve të organizatave, por nuk ka emra potencialë. Partia Socialiste po dëgjon propozimet për kandidatët që do të zyrtarizohen në një fazë tjetër të mëvonshme, e do të publikohen emrat në mbledhjen e asamblesë. Unë heq çdo dyshim në lidhje me kandidimin tim”, pohoi Vangjush Dako.
/K.H. portali DurresLajm/