* Nis viti i ri akademik në Universitetin e Durrësit, 1820 studentë ulen për herë të parë në auditoret e “Aleksandër Moisiut”
12 tetor 2015 – 1820 studentë kanë hyrë për herë të parë në auditoret e universitetit të Durrësit, ndërsa 1250 të tjerë priten në nivelin e dytë të studimit, atë të Masterit, pas miratimit të kuotave nga Ministria e Arsimit. Risi e këtij viti të ri akademik është hyrja në fuqi e ligjit për arsimin e lartë dhe vënia e tij në zbatim nga institucionet univeristare.
Zbatimi i ligjit për arsimin e lartë nuk sjell ndryshim thelbësor në funksionimin e universitetit “Aleksandër Moisiu”, për vetë faktin se ky institucion që prej themelimit të tij, ka patur model universitetet më të mira, dhe në vijim reforma vihet në zbatim hap pas hapi.
Janë rekrutuar 30 pedagogë të rinj për këtë vit pedagogjik, duke shkuar numri total në 290. Mithat Mema nëvizon se nga 290 pedagogë, 150 prej tyre janë me grada dhe tituj shkencorë, duke bërë që niveli i mësimdhënies të jetë i lartë.
Edhe këtë vit pedagogjik, universiteti i Durrësit ka ruajtur të njëjtat tarifa për studentët, duke mos ndryshuar asgjë nga një vit më parë, ndërsa nuk është hapur asnjë degë e re universitare, e nuk është mbyllur asnjë prej atyre ekzistuese.
“Deri në fund të vitit presim të marrim në dorëzim godinën e dytë të kampusit universitar. Është duke u punuar atje, dhe marrja në dorëzim do të hapte e zgjeronte me ambiente të reja auditorët e studentëve. Ndërsa në nëntor, presim të pajisemi me laboratorin e nevojshëm për teknologjinë e automobilave ku do të bëjnë praktikë studentët e kësaj dege. Laboratori është i ngjashëm me qendrën e kontrollit teknik të automjeteve”, pohoi Mema.
Në total për vitin akademik 2015- 2016 në universitetin e Durrësit numri i studentëve ka shkuar në 17 500. Studentët në ditën e parë janë të angazhuar për regjistrimin brenda afateve në lëndët mësimore, gjetjen e shtëpive me qira për ata që vijnë nga rrethet, dhe sistemimin e orareve të mësimit me punën për ata që janë të detyruar të punojnë njëkohësisht me mësimin.
Në përbërje të tij, janë 6 fakultete si Fakulteti i Biznesit, Fakulteti i Edukimit, i Teknologjisë së Informacionit, Fakulteti i Shkencave Politike-Juridike, Fakulteti i Studimeve Profesionale, Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP). Në këtë univeristet janë të hapura 45 degë.
/K.H. portali DurresLajm/