Kjo është nëna 43-vjeçare dhe djali i saj 21-vjeçar, të cilët humbën jetën në orët e para të mëngjesit të së premtes në një aksident tragjik në Greqi.

Mediat greke raportojnë se automjeti me të cilin po udhëtonin u përplas me një kamion në zonën e Paleokomit, pranë Serres.

Sipas informacioneve të deritanishme, të dy ishin nisur për në punë kur ndodhi përplasja fatale. Djali 21-vjeçar ndodhej në timon, ndërsa nëna e tij ishte ulur në sediljen e parë si pasagjere.

Përplasja ballore me kamionin ka qenë e fuqishme, duke bërë që të dy shqiptarët të humbnin jetën në vendngjarje.

Familja me origjinë nga Shqipëria jetonte prej vitesh në Paleokomi. Mësohet se nëna dhe djali punonin në të njëjtën kompani që merret me blerje dhe menaxhim pasurish të paluajtshme, me seli në plazhin e Ofrynit (Tuzla). Pikërisht drejt kësaj pune ishin nisur mëngjesin kur ndodhi aksidenti që u mori jetën.

Autoritetet greke vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të aksidentit.

Videoja më poshtë vjen nga telefoni celular i shoferit të kamionit, i cili në atë kohë e kishte të ndezur regjistrimin video.