11tetor 2015 – Allez Shqipëria! Kuqezinjtë ia dolën mbanë duke na dërguar në Francë, për një arritje që nuk është thjesht historike, por ndryshon njëherazi të gjithë historinë e futbollit shqiptar.
Në Armeni, Kombëtarja fitoi 3-0 ndeshjen më të rëndësishme të këtyre eliminatoreve duke kurorëzuar 13 muaj shpresa, dëshira e ëndrra dhe tani edhe Etrit Berisha (te himni me sy mbyllur) bashkë me të gjithë ne mund t’i hapim sytë, pasi Shqipëria është në Francë. Europiani nga tani e mbrapa është realitet.
Ndeshjen më të rëndësishme të këtyre eliminatoreve De Biasi provoi ta sulmonte që në formacion duke hedhur që nga minuta e parë në fushë, Roshin, Gashin dhe Cikalleshin. Që ishte një sfidë e veçantë u kuptua që në pasionin me të cilën kuqezinjtë tanë kënduan himnin duke e bërë më të afërt dhe nga Armenia e largët. Rëndësia e sfidës megjithatë i bllokoi këmbët e kuqezinjve, e për fat dhe ato të armenëve, që në minutën e 7-të humbën një mundësi të pastër për të kaluar përpara me Gazharyan. Vendasit patën rastin e parë ndërsa shqiptarët golin, pasi në të 9-tën, Hoynasian në përpjekje për të ndaluar Gashin e dërgoi topin në rrjetën e tij, për autogolin më të bukur në botë.Stoli kuqezi u përfshi i tëri nga një përqafim i madh, megjithatë për festën kishte ende kohë. Gjimshiti mund të kishte shënuar në të 18-tën por goditjen nuk e kishte të saktë. Gjithsesi, Berati mori masat e portës dhe pesë minuta më pas, zgjodhi finalizimin me takë, për të çuar në rrjetë “ëndrrën” kuqezi.
Armenia nuk u dorëzua dhe mori qarkullimin e topit dhe pse rastet i krijoi vetëm në fundin e fraksionit kur në minutat 43-të dhe 44-tërt për pak sa nuk rihapi ndeshjen. Në pushim, Shqipëria ishte tashmë në Europian, por për ta zyrtarizuar kishte nevojë dhe për 45 minuta të tjera. Ankthin e shqiptarëve mund ta largonte Basha, por Migjeni nuk e shndërroi dot në poezi topin që i erdhi në këmbë duke e flakur jashtë. Në të 47-tën provoi dhe Gashi por goditja e tij ishte shumë qëndrore. Nga ky moment lojën e kishin armenët, me Pisellin që në të 57-tën depërtoi mirë drejt zonës sonë. Gjithsesi golit iu afrua më shumë Shqipëria. Në të 66-tën, Kasparov devijoi në momentin e fundit harkimin e Roshit, ndërsa një minutë më pas Hysaj mori me forcë një top në afërsi të zonës armene duke shërbyer për Sadikun që nuk e pati të saktë shënjestrën. Pizelli ishte më i rrezikshmi për të tijtë, por në të 71-tën gjeti sërish gati Berishën. 4 minuta më pas ishte Mrkatchyan që i futi të dridhurat Shqipërisë. Për t’i larguar përfundimisht ato, mendoi Armando Sadiku, që në të 76-tën na bëri të besojmë më në fund se jemi në Francë. Minutat e mbetura fluturuan pak a shumë si një udhëtim drejt Francës, ku këtë vit do të ketë dhe një kombëtare me plis për Paris.
/portali DurrësLajm/