10 tetor 2015 – Aksident i frikshëm në Sochi. Kur kishin mbetur rreth 20 minuta nga përfundimi i sesionit të tretë të provave të lira, Carlos Sainz Jr piloti spanjoll i Toro Rossos u përplas dhunshëm me barrierat mbrojtëse të pistës në një kohë që po e pilotonte makinën e tij me shpejtësinë 300 km në orë.
Njëvendëshja e drejtuar nga piloti 21-vjeçar përfundoi poshtë barrierave mbrojtëse duke mbetur e bllokuar për disa minuta dhe për të nxjerrë Sainzin nga makina e tij Toro Rosso punonjësve të pistës iu desh jo pak kohë.
Për fatin e mirë të tij aksidenti ishte pa pasoja të rënda. Mjekët që mbërritën menjëherë në vendin e aksidentit konfirmuan se piloti ishte mirë duke qetësuar të gjithë skuadrën Toro Rosso dhe njerëzit e afërm të pilotit. Edhe vetë 21-vjeçari spanjoll la të të kuptonte se ishte mirë duke biseduar me mjekët dhe duke u munduar ta hiqte vetë kaskën nga koka pas aksidentit.
Përsa i përket aksidentit nuk janë kuptuar ende shkaqet e vërteta të tij pasi nga pamjet filmike nuk dallohej qartë se çfarë kishte ndodhur në kthesën e 13-të. Organizatorët e garës ndërprenë menjëherë provat e lira pas aksidentit që pësoi 21-vjeçari, i cili është djali i 2 herë kampionit të Botës në garat me makinat Rally, Carlos Sainz.
/portali DurresLajm/