10 tetor 2015 – Dikush do të mendonte se këto foto janë marrë në periferi të Durrësit. Por jo, në fakt janë në zemër të qytetit, në trotuarin që nis nga prefektura e përfundon te Mauzoleumi i Dëshmorëve.

Në të përditshmen e tyre, qytetarët që nxitojnë për në punë, nxënësit për në shkollë, e shumë të tjerë drejt institucioneve si, Gjykatës, Prokurorisë, bashkisë, prefekturës, Këshillit të Qarkut e Partisë Socialiste, kalojnë në këtë rrugë. Faktorët atmosferikë dhe trotuaret e shkatërruara janë problem kryesor i qytetarëve.

Dy realitete të ndryshme, pak metra larg nga qendra e Durrësit, që është e veshur në mermer, në kontrast të thellë e të plotë me rrugën “Aleksandër Goga”. Pllakat janë shkulur pothuajse në pjesën më të madhe të rrugës, duke ia lënë vendin pellgjeve me ujë e baltës. Trotuaret dhe rruga në këtë lagje, prej vitesh nuk njohin asnjë investim serioz, për të mos thënë se kanë mbetur në harresë të plotë e në mungesë të vëmendjes nga bashkia e qytetit, institucion me përgjegjësi direkte.

Sipas banorëve të zonës, investimi i fundit në këtë zonë në shtrimin e pllakave është bërë në vitin 2006, punime që u kryen nga ndërrmarrja e rrugëve të bashkisë.

/K.H. portali DurresLajm/