10 tetor 2015 – Pa u mbushur as 24 orë nga përfundimi i ndeshjes me Serbinë, kuqezinjtë nisin nga përgatitjet për transfertën e fundit të Jerevanit, për t’u përballur me Armeninë në sfidën vendimtare të këtyre eliminatoreve. Ëndrra për të marrë pjesë në një kompeticion të tillë, sikurse është Europiani “Francë 2016″ bën që kuqezinjtë ta hedhin pas krahëve humbjen me Serbinë dhe të vazhdojnë të besojnë se do të fitojnë në Jerevan.
Në seancën e parë stërvitore, tekniku De Biazi ka punuar vetëm me një pjesë të ekipit, pasi lojtarët që luajtën me Serbinë janë stërvitur të diferencuar nën drejtimin e përgatitësit atletik. Mungesa e Agollit, i cili mori kartonin e tretë në sfidën e fundit duke plotësuar numrin maksimal që nuk e lejon të jetë në fushë për Armeninë, si dhe Lilës të dëmtuar, që me shumë gjasa nuk do të jetë në dispozicion për duelin përmbyllës të këtyre eliminatoreve, ka bërë që italiani të përzgjedhë zëvendësuesit e tyre. Në sulm do të nisin nga minuta e parë me dy sulmues, Cikalleshi dhe Gashi të ndihmuar nga dy krahët e mesfushës, Lenjani dhe Odise Roshi. Në mesfushë Basha pritet të jetë së bashku me Xhakën, ndërsa në krahun e majtë të mbrojtjes do të aktivizohet Naser Aliji në vend të Ansi Agollit.
/portali DurresLajm/