10 tetor 2015 – Arrest me burg ka dhënë Gjykata e Durrësit për 18-vjeçarin Argjend Ajdini, i cili u arrestua dy ditë më parë, pasi akuzohet se i ka marrë të dashurës së tij me anë të mashtrimit 5670 euro, si dhe i ka vjedhur disa bizhuteri.

Masa e sigurisë u dha paraditen e sotme nga gjykatësi Dritan Hamiti në një seancë të zhvilluar për rreth 30 minuta me dyer të mbyllura.

Në sallë ishin nëna dhe pak të afërm të të pandehurit, ndërsa nga pala e paditësve nuk ishte askush, as vajza dhe as prindërit e saj.

Por, gjatë seancës gjyqësore, i pandehuri ka deklaruar se nuk është aspak e vërtetë që i ka bërë shantazh të dashurës dhe t’ia ketë marrë paratë me anë të mashtrimit. Madje ai deklaroi se këto para i kanë shpenzuar të dy së bashku.

Para trupit gjykues, Ajdini tha gjithashtu se ka pasur disa borxhe, dhe kjo është arsyeja që ai i ka marrë hua paratë kohë pas kohe, me pretendimin se do t’ia kthente sërish të dashurës.

Portali “DurresLajm” mëson se Ajdini ka deklaruar që vazhdon të ketë ende një lidhje me vajzën që e paditi. Ata janë të dashur prej më shumë se një viti.

I penduar për veprimin e kryer, 18-vjeçari ka qarë gjatë seancës dhe i kërkoi falje e mëshirë gjykatës, por kërkesa e tij nuk u mor parasysh.

Avokatja e tij mbrojtëse, Jetmira Krasniqi, kërkoi një masë më të lehtë sigurie, pasi i pandehuri këtë vit është ende në shkollë, maturant në gjimnazin “Gjergj Kastrioti”. Por, prokurorja e çështjes, Anila Bebeçi kërkoi masën arrest me burg, kërkesë e cila u pranua dhe nga gjykata.

Ndërkohë, vajza me inciale S.B. ka deklaruar më herët në polici se Ajdini i bënte shantazh me anë të një videoje intime. Mësohet se 18-vjeçarja këtë vit do të ndjekë studimet për drejtësi.

/K.H. portali DurresLajm/