9 tetor 2015 – Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimi, pas arrestimit të 18-vjeçarit Argjend Ajdini, maturant i shkollës së mesme të përgjithshme “Gjergj Kastrioti” në Durrës.

18-vjeçari akuzohet për mashtrim e vjedhje të rreth 6 mijë eurove, si dhe bizhuve e sendeve të floririt në shtëpinë e ish-të dashurës së tij në muajt korrik-gusht të këtij viti, pasi e ka shantazuar me një video intime.

Vajza e ka denoncuar ish-të dashurin me pretendimin se i ka marrë paratë nëpërmjet mashtrimit dhe shantazhit me videon intime. Burimet policore që merren me hetimin e çështjes kanë pohuar se maturanti e ka pranuar se ka xhiruar vajzën me celular, dhe e ka mbajtur për një kohë të gjatë një video intime të së dashurës.

18-vjeçari ka jetuar i vetëm për një kohë të gjatë, pasi babai i tij gjendet i dënuar në burg në Itali për trafik droge, vëllai i madh me studime në Iran, ndërsa nëna disa muaj qëndronte në Shqipëri e disa të tjerë punon në Itali.

Inspektorët e policisë kanë marrë në pyetje nënën e 18-vjeçarit, Valentina Ajdinin, e cila në dëshminë e dhënë para oficerëve të policisë ka deklaruar se nuk e njeh fare vajzën e cila ka denoncuar të birin.

“Nuk e njoh, djali ka shumë shoqe, është i ri, si çdo moshatar i tij. Unë nuk kam qenë në dijeni të gjithë kësaj ngjarjeje për të cilën akuzohet im bir. Por dyshoj mos është ndonjë mashtrim, apo kurth që i ngrihet tim biri”, ka dëshmuar 45-vjeçarja.

Sipas burimeve policore, dy të rinjtë kanë pasur një lidhje intime vitin e shkuar, ndërsa vajza ka qenë në në njëjtën shkollë me Ajdinin. Vajza ka fituar të drejtën e studimit në univeristet këtë vit, ndërsa 18-vjeçari, do të jetë sërish në gjimnaz për shak se është përsëritës në një vit shkollor.

18-vjeçari pritet të dalë nesër në masë sigurie, ndërsa gjendet i ndaluar prej tri ditësh në ambientet e komisariatit të policisë së Durrësit.

(Në foto: shtëpia 2-katëshe e kyçur e 18-vjeçarit, lagjja nr. 17)

/K.H. portali DurresLajm/