9 tetor 2015 – Njeriu që ngriti dronin një vit më parë në Beograd gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, ndeshjen e kthimit nuk ka mundur ta shijojë si patriot i flaktë që është, pasi u arrestua për armëmbajtje pa leje. Sot, Ismail Morina është paraqitur në Gjykatën e Tiranës, ku i është dhënë masa e sigurisë “arrest me burg”.

I ashtuquajturi Ballisti, u kap vetëm një ditë para ndeshjes me armë teksa po udhëtonte në kryeqytet, së bashku me tre të rinj. Ndërkohë, për tre të ndaluarit, Denis Balla, Marin Rexha dhe Erion Bahushi, Gjykata e Tiranës ka vendosur t’i lirojë.

Nga ana e tij, Ballisti ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar, dhe tha se do ta respektojë vendimin e gjykatës sido që të jetë ai.

“Do doja të isha përballë një trupe gjyqësore serbe të mbroja interesin e vendit tim, por jam para gjyqtarit shqiptar dhe duhet të mbroj veten.

Ndiej keqardhje për situatën e krijuar. Nuk kërkoj mëshirë, nuk është në karakterin tim. Do rris dy fëmijë me ideale tërësisht shqiptare. Vendimin tuaj do ta respektoj sido që të jetë”, mësohet të ketë thënë Morina.

Ballist Morina rrezikon dënim nga 7 deri në 15 vjet burg.

/S.L. portali DurresLajm/