8 tetor 2015 – Ndeshja e shumëpritur erdhi. Sot në mbrëmje kombëtarja shqiptare do të përballet me kombëtaren serbe në stadiumin “Elbasan Arena”, e cila mbi të gjitha është vendimtare në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Euro 2016. Kuqezinjtë do të kërkojnë tre pikëshin në fushën e gjelbërt, ndërsa festa në të gjitha trevat shqipfolëse ka nisur prej ditës së djeshme.
Skuadra serbe e futbollit ka mbërritur prej mbrëmjes së djeshme në Tiranë nën masa të rrepta sigurie dhe sot tre orë para ndeshjes do të nisen drejt Elbasanit. Për herë të para ndodh që një ndeshje futbolli të ketë një mobilizim kaq të madh të efektivëve të policisë, ku sipas Ministrisë së Brendshme, do të jenë rreth 2300 policë, duke vlerësuar maksimalisht sigurinë e ekipit serb para, gjatë dhe pas ndeshjes. Këto masa kaq ekstreme me bllokime rrugësh kryesore dhe dytësore, edhe tunelesh gjithashtu, nuk janë marrë as me ardhjen e kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç në fund të majit në Tiranë, kur për sigurinë e tij u angazhuan 1500 trupa policore.
Gjatë udhëtimit të ekipit serb nga Tirana në drejtim të Elbasanit, autobusi dhe stafi i tyre do të monitorohet nga ajri me një helikopter të Forcave të Armatosura tip “Cougar”, i cili ka një rreze fushëpamje deri në 5 kilometra. Po kështu, do të bllokohen edhe valët e kompanive celularëve rreth 30 minuta përpara dhe gjatë momentit që do të bëhet lëvizja e ekipit serb në drejtim të stadiumit “Elbasan Arena”.
Nga dje ka nisur edhe patrullimi nga ajri në qytetin e Elbasanit. Duke nisur nga ora 12:00 e mesditës do të bllokohet dhe kalimi i tunelit Tiranë-Elbasan. Ndërkohë qindra tifozë nga Kosova, Presheva dhe Shkupi kanë mbërritur prej mbrëmjes në Elbasan dhe të tjerë pritet të mbërrijnë deri në 20:45, kur edhe do të nisë sfida e shumëpritur.

Çfarë duhet të shmangni gjatë ditës së sotme në Elbasan
Të evitoni qarkullimin me automjet në bulevardin Aqif Pasha nga ora 08.00 e mëngjesit
Të evitoni qarkullimin me automjet në bulevardin Qemal Stafa nga ora 08.00 e mëngjesit
Të evitoni qarkullimin me automjet në aksin nga konservimi tek kryqëzimi i “Hajrullenjve”
Të evitoni parkimin e automjeteve përgjatë dy bulevardeve dhe përreth stadiumit Elbasan Arena
Të evitoni parkimin e automjeteve në sheshet kryesore
Të respektoni rregullat e qarkullimit rrugor
Për pjesëmarrësit në ndeshje
Të evitoni ndjekjen e takimit nga ballkonet e pallateve dhe shtëpive përreth
Të drejtoheni për në stadium nga ora 16.30 deri në 20.15
Të evitoni mbajtjen me vete të fishekzjarreve
Të evitoni mbajtjen me vete të monedhave metalike
Të evitoni mbajtjen me vete të çakmakëve
Të evitoni mbajtjen me vete të byzylykëve apo varësve prej hekuri
Të evitoni mbajtjen me vete të rripave me tokëza metalike
Të evitoni mbajtjen me vete të çadrave kundër shiut (e diskutueshme)
Të evitoni mbajtjen e celularëve (e diskutueshme)
Të evitoni gjithçka tjetër metalike
Të evitoni bidonët e ujit (pa tapë e diskutueshme)
Të evitoni mbajtjen e simboleve raciste
Të evitoni parullat me karakter racist, nacionalist apo me domethënie fyese e poshtëruese
Të evitoni thirrjet, sharjet apo fyerjet raciste
Të respektoni himnet kombëtare
Të respektoni kontrollet dhe udhëzimet e policisë (ndryshe përfundoni në rajon)
Të mbani me vete detyrimisht kartën e identiteti dhe biletën e ndeshjes
Të mos shkaktoni prishje të rendit dhe qetësisë publike në qytet.
Të mos shtyni në radhë gjatë futjes në stadium
Të lejueshme
Të mbani dhe demonstroni simbolet kombëtare (flamuj, qeleshe, xhamadanë, shqiponja dykrenore)
Të këndoni himnin kombëtar
Të mbështesni pa kufij dhe me kulturë ekipin kombëtar
Të duartrokisni
Të brohorisni sa të keni fuqi kur kombëtarja të shënojë gol
/portali DurresLajm/





