7 tetor 2015 – Policia konfirmon arrestimin e Ismail Morinës, të njohur si Ballist Morina, personi që ngriti dronin me banderolën e Shqipërisë së Madhe në stadiumin e Beogradit.

Policia e Tiranës sqaroi se Morina u ndalua së bashku me 3 persona të tjerë në rrugën “Petro Nini Luarasi” pas një kontrolli të ushtruar në një fuoristradë Range Rover që drejtohej prej tij. Morina u kap me pistoletë Zastava në brez me 6 fishekë, si dhe gjatë kontrollit të makinës së tij u gjet dhe një pistolete tjetër TT me 30 fishekë. Së bashku me Morinën, iu vunë prangat dhe 3 të rinjve: Erion Bahushi 22 vjeç, Denis Balla 21 vjeç dhe Marin Rexha 20 vjeç, të cilët akuzohen për veprat penale: “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake dhe “Moskallëzim krimi”.

Në makinë janë gjetur gjithashtu dhe një sasi biletash për ndeshjen që do të zhvillohet nesër. Nuk dihet se në ç'mënyrë i ka siguruar Ballisti këto bileta, kur ka qenë aq e vështirë për tifozët që të blenin një biletë.

Sa i përket armës që u gjet, Morina mësohet të ketë thënë në polici se e mbante për vetëmbrojtje.

“Armën e mbaja për vetëmbrojtje që pas problemeve me dronin. Nuk kisha asnjë qëllim tjetër”, ka thënë Ballisti.

Ballist Morina ishte në qendër të vëmendjes së publikut këto ditë pas lajmit se ai nuk do të lejohej të hynte në stadium për të parë ndeshjen Shqipëri – Serbi. Arrestimi i tij vjen vetëm një ditë para përballjes së madhe në "Elbasan Arena", ku Ballisti do të dëshironte aq shumë që të ishte i pranishëm.

/S.L. portali DurresLajm/