6tetor 2015 – Një histori tjetër e një burri që pretendon dhunën nga e shoqja u tregua sot në emisionin “Me zemër të hapur”.
Tosum Hoxha është 55 vjeç, pas një martese të dështuar ai vendos të rimartohet me një vajze 25 vite më të vogël se ai, Gëzimen. Kjo martesë zgjati plot 8 vite dhe prej saj kanë ardhur në jetë 3 fëmijë, njëri prej tyre vuan nga autizmi. Ai thotë se martesa është bërë me pëlqimin dhe dëshirën e të dyja palëve, por rrugës lindën shumë mosmarrëveshje mes tyre.
Tosumi tregon se gruaja i përbuzte njerëzit e tij, qëndronte gjithë kohës në shtëpi me fëmijët por nuk kujdesej për ta ndërsa ai mbante familjen duke punuar si kasap pasi ka një dyqan mishi në Bulqizë.
“Unë i kisha treguar që më parë që isha xheloz, por ajo doli më xheloze se unë. Kur u fejova i kisha kushtet skandaloze. Çfarë binte jashtë hynte brenda. Shita një dynym tokë në Bulqizë shtova edhe ca të tjera dhe bleva shtëpinë. Nuk më mungon asgjë. Ajo nuk kujdesej për fëmijët, nuk u bënte një gjellë. Gruaja më mbajti 15 milionë lekë peng. Unë punoja dhe lekët i lija në shtëpi, nuk merresha fare me lekët. Merrja sa më duhej për punën dhe të tjerat i lija në shtëpi, nuk i numëroja sa ishin. Shtëpinë doja t’ia bëja surprizë. Që kur të shkonte t’i dukej ëndërr. Por ajo e mori vesh, mbyllte fëmijët me çelës në shtëpi dhe shkonte përditë rrinte me orë të tëra tek ustai, sa ai më çoi fjalë që t’ia hiqja”, tregon 45-vjeçari.
Ai thotë se ajo bëhej shumë xheloze dhe nuk kujdesej për fëmijët. “Motra e saj më ka treguar se kur vinte në Tiranë për të marrë kempin e vajzës që e kam të sëmurë, ajo rrinte gjithë ditën kafeve dhe për këtë arsye kunata nuk i mbante fëmijët. Bashkëshortja është sjellë përherë keq, më gjuante dhe më keqtrajtonte”, thotë 55-vjeçari.
Një ditë teksa rrinte në shtëpi djali i ka thënë qe e ëma do t’i hidhte vajin në vesh kur të ishte duke fjetur. “Të nesërmen pasi më tha djali kështu, shkova të bëja padinë për divorc. Ajo sa mori vesh se kisha kërkuar divorc, mori thikën në dorë dhe më mbajti brenda për 3 orë duke më kërcënuar se do të më vriste. Telefonova policinë, shkova bëra kallëzim dhe mora urdhër mbrojtjeje menjëherë”, vijon rrëfimin 55-vjeçari.
Por gruaja mohon të ketë dhunuar bashkëshortin e saj apo se i ka marrë 15 milion lekë. Ajo tregon se burri i saj ka ndryshuar sjellje pas lindjes së vajzës autike. Gëzimja i kërkon sërish të rikthehet në shtëpi për të rritur 3 fëmijët e tyre. “Nuk i kam vjedh 15 milionë se nuk i ka pasur ndonjëherë 15 mln lekë. I ka prishur në kompjuter. Ia ka marrë shokut të tij dhe sot i ka borxh. Është ndarë me nusen e parë sepse është dashuruar me një tjetër. Unë nuk e dija që isha lidhja e tretë, e dija që isha e dytë. E ka lënë gruan me 4 fëmijë sepse është dashuruar me një tjetër. Qëkur ka lind fëmija me autizëm është bërë kështu. Nuk kam dashur ta vras. Inspektorit të policisë i ka çuar këmbët e viçit. U martova me të për të kaluar jetën deri në vdekje. Tosumi ka një biznes, por nuk linte asnjë lek në shtëpi se thoshte do më dalë një viç përpara e duhet ta blej. Ai nuk më ka marrë në rrugë mua, që të mos më thoshte për divorcin por të shkonte direkt në gjykatë. Ai është i lirë të vijë në shtëpi e të rrisim fëmijët, se kemi 3 fëmijë të vegjël. Gjithçka të mbyllet. Mos të rriten fëmijët pa baba. Nga mua s’ka asgjë, të vijë në shtëpi”, tha 30-vjeçarja në një lidhje telefonike për News24.
/portali DurresLajm/