5 tetor 2015 – Një goditje e rëndë, e tillë mund të cilësohet disfata me poker golash që Milan pësoi në “San Siro” ndaj Napolit që pret një biletë për rreshtin e parë të skuadrave që do të luftojnë për titullin kampion. Është i paevitueshëm fakti që humbja do të ndikojë në sezonin e gjatë të kuqezinjve, jo për tre pikëshin e humbur por për faktin që skuadra kuqezi dha një shfaqje të shëmtuar, duke rikthyer sërish polemikat me tifozët që kërkuan në mënyrë të vazhdueshme largimin e administratorit të deleguar, Adriano Galliani i cili është edhe arkitekti i merkatos së kësaj vere.
Në krahun tjetër, posti i Mihajlovic-it nuk është në rrezik por nëse skuadra vazhdon në këtë rrugë, do të jetë e vështirë që në “Milanello” ta konfirmojnë pafundësisht. E vetmja gjë që mund të shpëtohet nga kjo ndeshje janë 30 minutat e para dhe më pas errësirë totale. Milani uli çelësin pasi nuk arriti të tregonte grintë, karakter, dëshirë dhe mbi të gjitha një filozofi loje, as në mbrojtje dhe as në sulm. Një skuadër pa identitet me limite të theksuara teknike që të krijon përshtypjen se nuk meriton më shumë se mesi i klasifikimit.
Vetëm 9 pikë në 7 ndeshje, 4 humbje dhe distanca që vazhdon të zgjerohet me vendin e parë. Fiorentina që ishte edhe një prej kandidateve për zonën Champions ka dyfishin e pikëve, Interi është në kuotën +7, Lazio +6 dhe Roma +5. Fajin kryesor? Ndoshta për momentin është Mihajlovic në lupën e klubit pasi ishte pikërisht trajneri serb që mbivlerësoi lojtarët e tij, sepse detyra e tij ishte që të merrte maksimumin nga ky grup dhe në janar të bindte Berlusconi-n për të bërë ndërhyrje shtesë në merkato në mënyrë që Milani të ndiqte një rrugë graduale rritjeje.
Tashmë pikëpyetja kryesore është nëse vetë Mihajlovic do të arrijë të rezistojë deri në janar. Me ecurinë aktuale do të jetë shumë e vështirë dhe zgjidhja e vetme është ndryshimi i modulit. Në të njëjtën pikë të sezonit të shkuar, Inzaghi numëronte 5 pikë më shumë dhe 80 milionët e shpenzuara në merkato duket se janë hedhur në erë pasi dyshja e sulmit Bacca-Luis Adriano duket se po e tradhton besimin e trajnerit, ashtu si edhe Bertolacci e Romagnoli. Vetëm në tre ndeshje Milani i Mihajlovic ka gjetur rrugën e rrjetës, ndërsa mbrojtja fut ujë nga çdo anë.
Në të njëjtën kohë, mesfusha mbetet “Thembra e Akilit” me Montolivon që nuk arrin të frymëzojë orkestrën kuqezi. Që prej marsit të vitit 2014, Milani nuk i mbyllte dy ndeshje rresht pa shënuar asnjë gol dhe pa pësuar 4 gola në shtëpi. Gjatë ndeshjes kundër Napolit, Milani e goditi portën vetëm dy herë, ndërsa ndaj Fiorentinës bëri edhe më keq me asnjë goditje në kuadrat.
Në kampionat, skuadra e Mihajlovic-it ka mbrojtjen e dytë më të dobët pas Carpit me 13 gola të pësuar, ndërsa hera e fundit që Napoli kishte shënuar 4 gola në “San Siro” ishte në vitin e largët 1956. Sarri vendosi një rekord, fitoren me diferencën më të madhe të golave që Napoli ka regjistruar ndaj kuqezinjve. Momente kritike për një klub që kërkon ringritjen pas nokdaunit të sezonit të shkuar. Milani i lavdishëm i së shkaurës vazhdon të mbetet një kujtim i largët.
/portali DurresLajm/