5 tetor 2015 – Magani i kënaqet fitores, por ka sërish rezerva për lojën e ekipit sidomos në pjesën e dytë. Ai thekson se Teuta është me këmbë në tokë dhe se do të kërkojë vazhdimësinë për të pasur rezultate pozitive nga ndeshja në ndeshje.
“Kemi zhvilluar një pjesë të parë mjaft të mirë. Jam i kënaqur me ekipin sidomos në 45 minutat e para. Pasi shënuam 3 gola të shpejtë e humbëm grintën dhe filluam të rrezikonim. Për fat Bylisi nuk realizoi penalltinë pasi gjërat mund të ndërlikoheshin. Ne kemi si objektiv të rriteshim sa më shumë si skuadër. Nuk tregohem modest kur flas, por jam me këmbë në tokë. Ne do të vazhdojmë t’i marrim ndeshjet një nga një dhe do të përpiqemi të rrisim nivelin e lojës në vazhdim. Nuk menduam për ndeshjen ndaj Skënderbeut pas 3 golave të pësuar, por nuk e kuptova uljen e ritmit. Këtë do e shikojmë në analizën pas ndeshjes. Për sfidën e radhës do mendojmë nga nesër e në vazhdim. Është hera e dytë që rikthehem të drejtoj Teutën. Këtu unë punoj pa presion dhe jam i qetë në punën time, ndaj edhe rezultatet janë të mira. Kemi një ngërç në sfidat në transfertë, pasi jemi një ekip i ri dhe nuk e kemi fituar ende sigurinë si ekip. Normalisht do përmirësohemi edhe në këtë aspekt. Ne nuk jemi ekip që luajmë për mbijetesë këtë sezon”.
I pyetur për Derbin, Magani nuk dëshiroi të komentonte. “Nuk më takon mua të komentoj derbin e kryeqytetit pasi jam trajner i Teutës dhe sigurisht që do merrem vetëm me ekipin tim”, deklaroi pas ndeshjes për ‘Supersport’ Gugash Magani.
/portali DurresLajm/