5 tetor 2015 – Të gjithë banorët e njësisë administrative nr.5 në kryeqytet do të pajisen me një kartë të posaçme parkimi që do t’i garantojë një vend të sigurt për makinën e tyre. Lajmi është bërë me dije nga vetë kryebashkiaku, Erion Veliaj, i cili e cilësoi këtë masë si një hap për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonës së ish-Bllokut e të Tiranës së Re, që më së shumti vuajnë nga mungesa e vendparkimeve.
“Për herë të parë do të fusim edhe një sistem të ri të menaxhimit të hapësirave publike, si për parkingjet. Qytetarët do të pajisen me kartën e rezidentit dhe vetëm banorët e kësaj lagjeje do të kenë parkimin e tyre të garantuar. Kjo është një ide që funksionon në të gjitha vendet e tjera. Është një mënyrë për t’u ndarë nga kultura ku e gjithë lagjja ‘blindohej’ me mjete rrethanore dhe për të sjellë një kulturë të re, ku njësia administrative emeton kartën e rezidentit dhe secilit banor i garantohet vendi i parkimit”, u shpreh Veliaj.
“Gazeta Shqiptare” shkruan se kartat do të mundësojnë parkimin pa pagesë dhe në të njëjtën kohë do të ndihmojnë edhe në përmirësimin e trafikut. Për makinat e tjera, që nuk u përkasin banorëve të zonës, do të ndërtohen parkime publike, që do t’u sigurojnë një vend për të lënë makinën. Megjithatë, ky projekt është ende në fazën e diskutimit dhe nuk ka një afat konkret për nisjen e ndërtimit të këtyre parkingjeve, por punimet do të fillojnë shumë shpejt.
/portali DurresLajm/